Nga fëmijëria, vështirësitë, te bashkëpunimet me emrat e mëdhenj/ Rrëfehet Enver Shëngjergji: Ja pengu më i madh i jetës sime

schedule10:35 - 25 Shkurt, 2025

schedule 10:35 - 25 Shkurt, 2025

Kryefjala e kësaj puntate në emisionin “Pas Mesnate” është kompozitori i madh Enver Shëngjergji.

Mes shumë emocioneve dhe betimit të thyer që nuk do të jepte kurrë më intervista, ai ka rrëfyer gjithë jetën e tij, nga fëmijëria e vështirë në Krrabë, frymëzimi për muzikën që nisi nga firzamonika e babait, vështirësitë dhe pengesat për studiuar në Insitutin e Lartë të Arteve dhe deri te bashkëpunimet e mëdha.

Shëngjergji ka zbuluar se pengu i jetës së tij është që nuk e lejuan të vazhdonte shkollën e muzikës dhe mbeti krijues 75%, pasi nuk mori arsimin e duhur profesional për të vazhduar në gjini të tjera të mëdhaja.

“Im atë, i ndjeri Faik Shëngjergji ka pasur një firzamonik në shtëpi, që e mbante dhe ai nëpër duar, i binte nëpër gëzime familjare. Si duket dëgjimi, por dhe ajo që është trashëgimia që i thonë, genetike. Unë fillova avash avash, në mënyrë autodidakte sepse dhe babai im ashtu i binte, sepse nuk e dija se çfarë ishte nota.

Megjithatë, kam një peng në jetë. Në ato vite im atë ka qenë teknik minierash dhe ka punuar në minierën e Krrabës që në vitin ’45, unë kam lindur në ’48 dhe ishte e pamundur të shkonte dhe të vinte nga Krraba në Tiranë, edhe u detyrua mori dhe nënën dhe mua. Edhe kam jetuar në Krrabë deri në klasën e shtatë, edhe pse me ndërprerje. Por duke qenë nomeklatur e rrethit të Tiranës, mua nuk mu dha e drejta të konkuroja as në Lice dhe as të konkuroja në Insitutin e Lartë të Arteve, pasi mbarova të Mesmen. Kështu që unë kam mbaruar Shkollën e Mesme të Përgjithshme të Kulturës. Por kam pasur fatin sepse kam pasur të madhin, ‘babain’ e muzikës së lehtë shqiptare pedagog Agim Prodani dhe nga ai mësova dhe mora shumë. Po ajo që kam marr nga ai ka qenë fjala: ‘Enver, e paç harram mësimin që po të jap unë, nëse nuk do të shkruash shqip’. Kjo fjalë e të shkruarit shqip, mua mu ngulit në shpirt.

Mbarova të mesmen, doja të konkuroja për Institutin e Arteve për dy profile, e para muzikë, e dyta dramë. Unë kam qenë në Shkollën e Mesme një humorist, kam pasur një mimikë, një elokuencë, është e lexueshme dhe sot. I ndjeri Kujtim Spahivogli më ka marrë dhe më ka thënë: ‘Mos u lodh kot, nuk pranohesh, se nuk të lë Komuniteti Ekzekutiv’. As te muzika nuk më lejonin. 6 muaj nuk kam shkuar në leksione, sa u bëra problem dhe deshën të më përjashtonin. Unë shkoja te solfezhi te Feim Ibrahimi, te kantoja, më thoshin pedagogët ti nuk e ke emrin. Mbeta krijues 75%, sepse nuk mora arsimin e duhur profesional për të vazhduar në gjini të tjera të mëdhaja, megjithatë nuk jam pishman. Ajo që më mbeti peng i jetës ishte muzika e filmit”, rrëfeu Shëngjegji./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!