Nga një vajzë e vogël emigrante që mbërriti në Itali vetëm 9 vjeçe, e hutuar nga një botë krejt e re dhe një gjuhë që ende nuk e zotëronte, sot në një grua që mban shiritin trengjyrësh si kryetare bashkie. Historia e Sindi Manushit është një rrëfim force, këmbënguljeje dhe integrimi, që po frymëzon jo vetëm shqiptarët në Itali, por edhe vetë komunitetin italian që ajo drejton.
Në 20 maj, Sindi kremtoi 25 vite nga dita kur mbërriti për herë të parë në Pieve di Cadore, një zonë malore në Itali që sot e ka zgjedhur si kryebashkiaken e saj. Një letër prekëse, e bërë virale në rrjetet sociale, ku ajo reflektonte mbi rrugëtimin e saj, u kthye në simbol të mirënjohjes dhe dashurisë për vendin që e priti si emigrante dhe sot i ka besuar drejtimin e komunitetit.
33-vjeçarja nga Elbasani është sot kryebashkiakja e parë shqiptare e një province në Itali, një arritje që, siç thotë vetë ajo, nuk erdhi rastësisht.
“Është meritë imja, sepse këmbëngula shumë tek fitorja,” rrëfen Sindi, duke shtuar se lista e saj ishte e vetmja në garë, por mbështetja e qytetarëve ishte përtej pritshmërive. “Votuan më shumë njerëz sesa prisnim, edhe ata që nuk më njihnin.”
Por rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë.
Kur mbërriti në Itali me prindërit, familja nisi gjithçka nga e para. Nëna e saj, dikur kimiste në Metalurgjikun e Elbasanit, u detyrua të rishkollohej dhe të punonte si sanitare për të mbajtur familjen. Babai, saldator, vazhdon ende punën e tij.
Sindi kujton me emocion se si shkonte me të ëmën në punë dhe e ndihmonte. Në moshën 13-vjeçare nisi punën e saj të parë, duke u kujdesur për fëmijën e një komshie që kishte humbur bashkëshortin. “Pas asaj kohe kam punuar gjithmonë në kohën e lirë,” tregon ajo.
Megjithëse është përballur me episode racizmi dhe paragjykime, Sindi thotë se nuk ka zgjedhur të viktimizohet. Përkundrazi, fitoi besim tek vetja dhe vendosi të tregonte me punë se kush ishte.
“Njerëzit nisën të më duan kur kuptuan se e dua vendin e tyre po aq sa ata,” shprehet ajo, duke theksuar se sinqeriteti, thjeshtësia dhe refuzimi për të bërë premtime boshe e ndihmuan të fitonte zemrat e qytetarëve.
E diplomuar për Juridik në Trento dhe me një angazhim të gjatë në komunitet e punë vullnetare, Sindi nuk e ka përdorur asnjëherë historinë e saj si “vajza shqiptare që ia doli”, për të fituar simpati politike.
“Historia ime nuk tregon sa e aftë jam unë, por potencialin që kanë të rinjtë që lindin diku tjetër dhe rriten këtu,” thotë ajo.
Megjithëse ndjek me interes zhvillimet mes Shqipërisë dhe Italisë, Manushi e përjashton një rikthim në politikën shqiptare.
“Më kanë thënë të vij në Shqipëri dhe të kontribuoj, por nuk e shoh veten atje. Nuk jam e ‘djallëzuar’ për politikën shqiptare,” shprehet me sinqeritet.
Sot, për Sindin, asgjë nuk ka më shumë vlerë sesa momenti kur mban shiritin trengjyrësh të kryebashkiakes.


