Nevil Dede, trajneri i Tiranës, pas ndeshjes derbi me Partizanin foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Keqardhja është e madhe për këtë disfatë, pasi bardheblutë tani e shohin veten 20 pikë larg Vllaznisë kryesuese.
“Çdo njeri e shikon ndeshjen në këndvështrimin e tij. Falëm një ndeshje. Gabuam dhe na kapën në kundërsulm. Te goli po dilnim nga mbrojtja dhe gabuam. E kontrolluam ndeshjen në shumicën e lojës dhe patëm ekuilibër.
E vumë edhe në vështirësi kundërshtarin. Patëm edhe momente dobësie, nga krahët. Nuk mund të thuash shumë gjëra kur humb, pasi ajo humb dhe djeg shumë sidomos në derbi. Prisja shumë skenare, por vetëm kështu jo”.
“Kemi kualitete në ekip, dy sulmuesit që kemi marrë na japin më shumë forcë. Ekipi mund të dalë dhe mund të ketë më shumë forcë. Seferi bëri një ndeshje të mirë, jam i kënaqur me të. Muçi-Seferi titullarë? Varet nga forma. Ata kombinojnë mirë dhe janë një dyshe interesante. Kemi dhe blerjen e re, Tim”.
“Arbitrat janë pjesë e lojës. Tirana me Bathën u penalizua shumë. Ne e kemi ndërtuar strategjinë tonë nëpërmjet Bathës. Po të ishim treguar më altruist, mund ta zgjidhnim ndeshjen. Seferi ka pak kohë më ne. Duhet të përshtatet. Mendoj se do bëjë më mirë”.
“Titulli? E vështirë, pasi duhet të presësh se kush do gabojë. Besoj se javë pas jave do rikuperojmë pikë. Diferenca tani është e madhe. Besoj se ka dhe shumë javë përpara. Duhet të shënojmë më shumë. E mira nuk ka fund. Kur të rikuperojmë Çelhakën dhe Cale, atëherë është një skuadër e fortë. Do të jemi të përqendruar dhe të qetë për të zhvilluar një 90 minutësh”. /abcnews.al