Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk e ka pranuar planin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Gazën, duke theksuar se çdo tërheqje e ushtrisë izraelite nga territori palestinez duhet të ndodhë vetëm pas çarmatimit të plotë të Hamasit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu tha se ekipi i presidentit amerikan Donald Trump beson se mund të arrihet çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës.
“Ata na dërguan një plan, të cilin ne nuk e kemi pranuar. Ky nuk është plani ynë. Ne u kemi dërguar komentet tona”, u shpreh Netanyahu.
Deklarata e kryeministrit izraelit vjen pas takimit me “Këshillin e Paqes” të Trumpit, i cili është angazhuar për zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën.
Sipas garancive të marra nga pala izraelite, ushtria nuk do të largohet nga pozicionet aktuale në Rripin e Gazës, pjesë të të cilit vijon ta kontrollojë, deri në përfundimin e procesit të çarmatimit të Hamasit.
Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se pranon një marrëveshje të propozuar nga Donald Trump, e cila parashikon ndalimin e operacioneve ushtarake nga të dyja palët, çarmatimin e lëvizjes islamiste palestineze dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza.
Netanyahu, i cili synon një mandat të ri në zgjedhjet parlamentare të tetorit, po përballet gjithashtu me presion nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë në koalicionin qeverisës. Ata kanë kundërshtuar marrëveshjen dhe kërkojnë një votim për refuzimin e saj.


