Nesër zgjedhje, Basha mesazh për qytetarët: Jini krenarë!

schedule21:30 - 29 Qershor, 2019

schedule 21:30 - 29 Qershor, 2019

Pak orë para nisjes së procesit zgjedhor, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje shqiptarëve që të protestojnë paqësisht nesër dhe të distancohen nga provokimet sipas tij, te regjimit kriminal të Edi Ramës. Basha tha se ka përgjegjësi për jetën e çdo shqiptari, ndryshe nga Edi Rama që kërkon vëllavrasje.

Lulzim Basha: Nesër në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Zgjedhjet janë mekanizmi se si njerëzit vendosin për qeverisjen që duan, por nesër njerëzit nuk kanë asnjë zgjedhje. Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve, por nesër nuk do të ketë liri dhe nuk do të ketë shprehje vullneti.

Zgjedhjet janë mekanizëm kushtetues dhe ligjor, por nesër do të shkelet Kushtetuta dhe ligji në një proces antikushtetues dhe thellësisht kriminal.

Të dashur bashkëqytetarë:

Unë e di që shumë prej jush kanë dashur dhe kanë pritur që nesër të mos kishte as votime farsë, të mos kishte asgjë. Por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë, o të ishte mënyra e dhunshme, e cila do të shkaktonte vëllavrasje dhe humbje njerëzore e plagë shoqërore.

Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike. Ajo thjesht do të sillte një ndjenjë të rremë të triumfit të çastit dhe do të linte plagë të hapura e probleme të pazgjidhura,

Unë dhe demokratët nuk besojmë tek rruga e dhunës!

Ndaj sot dua t’i them çdo demokrati dhe qytetari që është bashkuar në përpjekjet tona: Jini të gjithë krenarë, sepse i kemi bërë një shërbim të madh Shqipërisë duke mos rënë pre e dhunës së orkestruar nga Edi Rama!

Unë jam krenar me dinjitetin, qytetarinë dhe kurajon tuaj!

Falë tyre, ky regjim është plagosur për vdekje dhe do të rrëzohet shumë shpejt.

Unë e di, se ka shumë njerëz që mendojnë se me autokratë si Edi Rama, Dhuna është i vetmi mjet për ta hequr, se Edi Rama nuk kupton asnjë gjuhë tjetër, veç asaj të dhunës.

Këtë opinion ma kanë shprehur shumë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Ma kanë shprehur shumë qytetarë, analistë politikë e të tjerë, por unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja.

Unë besoj se forca jonë qendron tek drejtësia e asaj që kërkojmë, qëndron tek këmbëngulja, durimi dhe kurajo jonë.

Asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt dhe për qeverisjet e tyre.

Dhuna prodhon ndërrime mekanike të pushtetit, pa bërë asnjë pastrim dhe transformim. Dhuna krijon përligje kriminale tek ata që vinë në pushtet prej saj

Unë besoj se nga dhuna në 30 qershor nuk përfiton askush përveç Edi Ramës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!