Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia e Tiranës kanë prezantuar projektin e rishikuar të sheshit “Shqiponja” në Tiranë. Sipas ministres Balluku ky është një projekt që i shkon qytetit. Ndërkohë kryebashkiaku Veliaj u shpreh i vendosur se puna për zgjerimin e unazës së madhe do të nisë shumë shpejt
Unaza e madhe në Tiranë do të zgjerohet në kohë rekord. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e beri të ditur ndërsa bashkë me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantuan projektin e rishikuar të sheshit “Shqiponja”.
“Unaza do bëhet, do bëhet me cilësi, do bëhet brenda kostos, do bëhet në kohë rekord, dhe besoj që për Tiranën dhe Shqipërinë që e sheh Tiranën si një kryeqendër ku mbaron edhe punët e veta, është një lajm i jashtëzakonshëm. Nuk kemi kohë të lejojmë që një minorancë e zhurmshme partiake të pengojë shumicën e qytetit që do të lëvizë apo edhe shumicën e banorëve aty që, në fund fare, duan zgjidhje”
Sheshi “Shqiponja” do të kthehet në nënkalim me korsi të dedikuara për autobusët, biçikletat, i jep rëndësi gjelbërimit dhe pritet të zgjidhë problemin e trafikut që krijohet në hyrje të qytetit.
“Tiranës nuk i shkon që të ketë një barrikadë në hyrje të saj. Ne jemi një kryeqytet që kemi hapur dyert dhe kërkojmë të ftojmë të gjithë ata që jetojnë jashtë Tiranës apo jashtë vendit, dhe barrikadat e betonit kanë vite që nuk na shkojnë.
E parë në anën teknike, për sa kohë sigurohet rrjedhshmëri e pandërprerë e trafikut dhe zgjidhet problemi i ngërçit që kemi pasur deri më sot, orët e gjata të pritjes nëpër semaforët apo shkëmbimi me mirëkuptim rreth “Shqiponjës”, gjithçka duket në vendin e duhur. Nga ana vizuale, kjo është Tirana, duket si një pjesë e sheshit “Skënderbej”, që është spostuar në hyrje të saj”
Propozimi i ri sipas Kryetarit të Bashkisë sjell mos ndarjen e qytetit me një mur artificial, i cili do të krijohej nga lidhja e unazës me rreth rrotullimin.
Zona do të kthehet në nyjen nevralgjike të 10 viteve të ardhshme dhe Tirana u shpreh Veliaj do të ketë një nga hyrjet më të bukura./ABC News Albania 24/7