Nëna e vetme me 4 fëmijë në vështirësi ekonomike për shkak të karantinës: Jetoj me ndihma ushqimore

schedule14:49 - 27 Mars, 2020

schedule 14:49 - 27 Mars, 2020

Familja Nuredini e strehuar në banesat sociale po kalon një moment të vështir financiare për shkak të vendosjes së karantinës.

Sabrie Nuredini është nënë e vetme me 4 fëmijë pasi bashkëshorti është zhdukur prej 5 vitesh.

Kryefamiljarja tregon se punonte pjatalarëse, por aktualisht është e papunë dhe se bashkë me fëmijët e saj po jeton vetëm me ndihmat ushqimore .

Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi ajo po përballet me vështirësi financiare.

“Gjithë ditën qëndrojmë brenda. Mund të dalim vetëm pak jashtë te dera”, tregon ajo.

Nuredini punonte si pjatalarëse dhe merrte një pagë minimale prej 22 mijë lekësh. Por, tashmë për shkak të karantinës është e papunë dhe nuk ka asnjë të ardhur financiare.

“E kemi shumë të vështirë të përballojmë këtë gjendje të shkaktuar nga virusi. Kam frikë për fëmijët. Tani që nuk punoj, jetoj me çfarë na sjellin”, thotë ajo.

Kryefamiljarja tregon se këto kohë nuk ka blerë fruta dhe ushqehen vetëm me miell, makarona e vaj, ndihmat që ju sjellin banorët.

“Nuk kam me çfarë ti blej ushqimet. Jetoj me çfarë më sjellin”, shprehet ajo.

Fëmijët nuk kanë mundësi që të bëjnë mësimet online pasi nuk kanë internet.

“Nuk kam internet. Kam vetëm një telefon për të kryer hallet dhe kaq”, thotë ajo.

Sabrie Nuredini, pas zhdukjes së bashkëshortit, 5 vite më parë u zhvendos nga Dibra në Tiranë për ti siguruar një jetesë më të mirë fëmijëve. Por tërmeti i dëmtoi shtëpinë dhe tashmë është e strehuar në një banesë sociale në Tufinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!