Nëna e kuksianit Vasil Laçi: Do të protestoj të nxjerr djalin nga burgu

schedule16:19 - 29 Prill, 2018

schedule 16:19 - 29 Prill, 2018

Njëri nga katër kuksianët e mbetur në burg pse protestuan për taksën e rrugës së Kombit, është edhe Vasil Laçi. ABC News ishte në shtëpinë e tij, atje ku takoi nënën e tij, e cila thotë se do të nxjerrë të birin nga burg duke protestuar në çdo derë të shtetit.

Numëron ditët dhe pret të shohë të birin jashtë hekurave. Është nëna e 17 fëmijëve, nëntë djem dhe tetë vajza. Pesë fëmijë i ka humbur në mosha të ndryshme, dy nga ata tragjikisht.

Kurse njërin djalë, Vasilin e ka në burg sepse protestoi kundër taksës së Rrugës së Kombit.

Nexhmija bashkë me familjen nga fshati Bardhoc u vendos në periferi të Kukësit për një jetë më të mirë. Shtëpitë e nisura prej 10 viteve nuk kanë përfunduar së ndërtuari akoma.

Njëra prej tyre është e  Vasil Laçit,  protestuesit që mbeti në burg edhe nga gjykata e Apelit të Shkodrës.

“Asnjë gjë më të madhe nuk ka ba Vasili, si gjithë të tjerët, se policia bëri provokimin, siç reagova unë ndaj policisë i pari që kam hy në kordon dhe më ka lëshu sprajt. Akoma nuk jam në terezi me sytë e mi”.

Dhimbja e saj për të birin është e nëjktë me atë që ka përjetuar kur humbi të 5 fëmijët e saj.

“Ata do t’i lirojnë, nës do i gjejë më zi se i ka gjet, me nuse, e cull do dal te gjykata, te turizmi i ri do dal, na erdh shpirti në fyt”.

Urimi është vëllai i Vasilit.  Çdo ditë bën rrugën e Tiranës për t’u takuar me avokatë,  gjykatës e prokurorë. Edhe vetë ai ishte në protestë.

“Atë ditë kam qenë unë i pari që kam dalë në protestë. Për të drejtat e mia, të qytetarëve të Kukësit”.

Në Kukës pritet të përgatitet tubimi i radhës para seancës gjyqësore të Gjykatës së Lartë rreth datës 4 maj.

Gazetar i ABC News: Bujar Muçmata

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!