Nën masa të rrepta sigurie, Viktor Ymeri ka dalë sot nga qelia për të marrë pjesë në një ceremoni mortore. Burime bëjnë me dije për ABC se kanë qenë dy furgona të burgjeve dhe agjentët e bluve të Vlorës që kanë shoqëruar Ymerin në një ceremoni mortore që është zhvilluar në Dukat. Më pas i burgosuri është kthyer sërish në qelinë ku po vuan dënimin.
Kush është Viktor Ymeri
Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje farefisnore me Edison Harizajn, i ekzekutuar në Durrës në vitin 2018. Viktor Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kishin ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, u qëlluan fillimisht me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk plasi. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën u derdhën breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.
Daja i Edison Harizajt
Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, dyshohet që Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizajt, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës.
Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre Viktor Ymeri, për të cilin më 31 tetor 2018 ka vendosur t’i rrëzojë dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në 23 qershor 2017 nga Gjykata e Durrësit dhe ta dënojë atë përfundimisht me 25 vite burgim. /Abcnews.al