Pas disa orësh ndërhyrje me 3 helikopterë, në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse dhe forcat e armatosura, flakët e zjarrit në bashkinë e Finiqit janë vënë nën kontroll.
Zjarri nisi gjatë paradites të së hënës dhe menjëherë zjarrfikësit nisën nga puna për shuarjen e tij.
Por situata u bë kritike, pasi era favorizonte përhapjen e flakëve, ndërsa rreziku u shtua për disa banesa në fshatrat Kostar dhe Vllahat, me vatrën që ishte pranë oborreve të tyre.
Disa banesa në Mesopotam rrezikonin që të digjeshin, por deri tani nuk raportohet për dëme në shtëpi e ndërtesa të tjera.
Kurse vatra në Qafën e Kashit, në Mallakastër, është vënë nën kontroll. Flakët janë izoluar pasi iu afruan disa shtëpive të tjera, ndërsa dogjën edhe dy banesa gjatë paradites.
Forca të shumta zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit.
Ndërkohë, një tjetër zjarr është regjistruar pranë fshatit Vanaj, në njësinë administrative Libofshë. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pemë, ndërsa ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës vijon për shuarjen e plotë të zjarrit.
Edhe në periferi të Cërrikut, ku flakët përfshinë ferra, shkurre dhe një parcelë me ullinj. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, zjarri u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar një banesë pranë zonës së përfshirë. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e dëmeve në banesë.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë operacionet në terren për kontrollin e plotë të vatrave të zjarrit.


