Negociatat, Franca nuk ka ende një qëndrim për Shqipërinë

schedule21:12 / 09/10/2019

Franca nuk është shprehur ende lidhur me vendimin për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Gjatë takimit të 28 ambasadorëve të përhershëm të BE-së, të mbajtur sonte në Bruksel, ambasadori francez bëri të ditur se Franca ka një propozim konkret, që nuk lidhet vetëm me hapjen e negociatave të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në Bashkimin Europian.

Franca kërkon të ndryshojë procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe këtë synon ta realizojë përmes prezantimit të një dokumenti konkret.  Ky dokument pritet t’u mbërrijë 27 ambasadorëve të tjerë të përhershëm brenda së premtes, kur ambasadorët do të mblidhen sërish për këtë çështje.

Burimet franceze bëjnë të ditur për ABC News, se Franca kërkon të shtrëngojë procesin e zgjerimit te Unionit, pa qartësuar se cili është qëndrimi i saj për dosjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, ambasadori holandez ka shprehur qëndrimin e bërë publik dje nga ministri i jashtëm Stef Blok në parlamentin holandez. Ndarja e vendimmarrjes së Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është ende në tryezë.

Ndërkohë të gjithë ambasadorët presin propozimin konkret për të marrë vendim mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./ABC News Albania 24/7

schedule21:12 / 09/10/2019