Ditmir Bushati mori pjesë në Takimin e Tretë Ndërministror të Selanikut mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, tha se Shqipëria e ka merituar marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE si rezultat i reformave të ndërmarra si dhe në adresimin e 5 prioriteteve kyçe.
Ecuria e perspektivës evropiane të rajonit ishte në qender të bisedimeve të Takimit të Tretë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt në Selanik. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.
Në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit rajonale, veçanërisht pritshmërinë për avancimin e rrugës evropiane të vendit tonë, por edhe të Maqedonisë pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave.
Temë e diskutimeve ishte edhe identifikimi i sfidave të sigurisë për rajonin tonë, që burojnë nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, në rajonin e Mesdheut Lindor dhe gjetkë, si dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në krizën migratore drejt Ballkanit.
Në fjalën e mbajtur në tryezën e Ministrave të Jashtëm, ministri Bushati veçoi rëndësinë e këtij formati rajonal të bashkëpunimit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e ndërveprimit në funksion të perspektivës së ardhshme evropiane të rajonit.
Gjithashtu Ministri Bushati theksoi se: “Procesi i reformave dhe i transformimit të rajonit tonë është i gjatë dhe i vështirë por ne jemi të vendosur për të çuar përpara këtë angazhim. Ndonëse ka një lodhje nga zgjerimi dhe një lodhje nga evropianizimi, por serish për ne nuk ka alternativë tjetër për zhvillimin apo për të konsoliduar sigurinë në rajonin tonë veç BE dhe NATO. Por nevoja kryesore mbetet dhënia e një substance procesit të integrimit në rajonin tonë”.
Në kuadër të diskutimeve mes Ministrave të Brendshëm dhe të Infrastrukturës, u morën në shqyrtim aspektet e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar, me fokus luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe parandalimit të fatkeqësive natyrore, si dhe të situatës së ndërlidhjes mes rrjeteve të transportit rrugor e hekurudhor të vendeve tona dhe mënyrat e mundshme për të çuar përpara bashkëpunimin në këtë fushë./abcnews.al