Në Tiranë 1700 familje pa strehim nga tërmeti, Mazniku: Aplikoni, Bashkia do paguajë bonus qeraje për 1 vit

schedule19:07 - 4 Dhjetor, 2019

schedule 19:07 - 4 Dhjetor, 2019

I ftuar në studion e ABC News, me gazetarin Endri Xhafo, ka qenë nën/Kryetari i Bashkisë Arbi Mazniku. Mazniku foli për situatën, në të cilën ndodhen banesat e dëmtuara, nga tërmeti i 26 nëntorit në Tiranë.

Sipas Maznikut, deri sot, janë vlerësuar se 1700 familje në rrethin e Tiranës kanë mbetur të pastrehë, për shkak të dëmtimeve në banesat e tyre. Mazniku tha se, për të gjithë ato familje që kanë mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit, Bashkia ka filluar një program të ri, për një bonus qeraje të posaçëm, i cili do të paguajë qeranë e familjeve të pastreha, për 1 vit.

Situata në Tiranë duket se po agravohet, për sa i përket zbulimit dita ditës, të godinave që janë dëmtuar, dhe të cilat kanë pësuar dëmtime të rënda.

“Gjatë ditës së sotme kemi patur në terren më shumë se 20 skuadra të përbërë nga inxhinierë, vullnetarë pjesa më e madhe e tyre, të cilët gjej momentin ti falënderoj se kanë punuar për ditën e pestë sot me orë të zgjatura. Kemi kontrolluar 480 banesa në total, dhe janë shpallur 61 si të pabanueshme. Janë 1118 familje të cilët janë evakuuar nga banesat. Jemi në një situatë ku po bëjmë verifikimin paraprak. Nëse inxhinierët konstatojnë se banesa ka probleme atëherë  një grup i dytë do të duhet të vlerësojë në mënyrë të detajuar dhe të shohë nëse këto objekte janë të pabanueshme apo kanë nevojë për një riparim dhe mund të vazhdojnë të qëndrojnë. Pjesa më e madhe e banesave të dëmtuara rëndë janë ndërtuar në vitet 70-80 të ndërtuara me tulla silikate. Nuk kemi asnjë rast problematik në ndërtesat e ndërtuara pas viteve 95-96. Ndërkohë kemi problematika në fshat ku janë dëmtuar 638 banesa. Në këto raste kemi banesa të dëmtuara edhe nga tërmeti i parë i 21 shtatorit dhe të tërmetit të dytë. Deri tani flasim për 1700 familje në total pa strehim. Për sa i përket strehimit, një pjesë e madhe janë strehuar te të afërmit e tyre. Rreth 610 janë strehuar në qendra sociale. Sot kemi filluar një program të ri për një bonus qeraje të posaçëm. Personat në këto situata, që sot, mund të aplikojnë për këtë bonus qeraje, i cili për 1 vit, do të paguhet nga buxheti i Bashkisë së Tiranës“, tha Mazniku.

I pyetur se nëse numri i familjeve që kanë mbetur pa strehim do të rritej apo jo në ditët në vazhdim Mazniku tha:

“Dje kemi patur ditën më të keqe, ku kishim raste të shumta. Sot janë shtuar 8 ose 9 banesa, ka akoma një numër banesash pa u kontrolluar por pritshmëria është për të mos u rritur shumë ky numër. Tirana ka 2800 pallate dhe ne kemi parë 480 deri tani”.

Endri Xhafo: Ju do ti kontrolloni të gjithë pallatet?

Arbi Mazniku: Si prioritet, për të kontrolluar kemi patur shkollat, universitetet, konviktet dhe banesat. Përzgjedhja jonë deri tani ka qenë në bazë të emergjencës. Pra nëse një objekt i tipit pallat, ka shenja të dukshme dëmtimi, atëherë gjëja e parë që duhet të bëhet, është të njoftohet njësia administrative pranë tyre, që të alokohet një grup specialistësh, për të shkuar për të parë banesën.

Ndërsa për sa i përket shkollave dhe çerdheve në qytetin e Tiranës Mazniku tha:

“Kemi pasur fillimisht në fokus shkollat. Janë 300 objekte arsimore të cilat kanë qenë prioritet i yni, grupi i inxhinierëve janë fokusuar fillimisht te këto objekte. Arsimore. Kemi patur objekte të tjera të cilat kanë funksione publike, konviktet e qytetit studenti, objektet universitare. Përzgjedhja jonë deri tani ka qenë në bazë të emergjencës. Në rastin e shkollave kemi bërë një analizë të trefishtë dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm dhe sot mund tju them që sot 14 shkolla dhe 3 çerdhe kanë probleme strukturore, të cilat na e bëjnë të pamundur parimin e shpejtë. Për këtë grup shkollash kemi marrë një grup të posaçëm inxhinierësh e arkitektësh të cilët janë duke vlerësuar se çfarë ndërhyrje duhet. Teksa u bë vlerësimi se këto kanë probleme strukturore, tani do të kemi një vlerësim tjetër i cili do të zgjasë 2 ose 3 ditë, për të parë në këtë kategori objektesh, se çfarë lloj ndërhyrje mund të bëhet në to. Deri ditën e premte në drekë kemi përcaktuar që të kemi një vlerësim për këto shkolla. Pjesa tjetër e shkollave ka dëmtime por që janë bazike dhe që do të riparohen nga skuadrat tona”, tha Mazniku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!