TIRANË- Gjykata e Posaçme i ka dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha shkresën në Kuvend për ta njoftuar për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
“Në zbatim të urdhërimit të gjykatës për komunikimin e vendimit Nr.117 datë 26.10.2025, bashkëlidhur ju dërgojmë vendimin me nr. 117, datë 26.10.2023, e Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, që i përket shtetasit Sali Berisha, me objekt marrjen ne pyetje të personit nën hetime me qëllim marrjen në dijeni nga ana juaj”, shkruhet në shkresë.

Kjo lëvizje vjen pasi ish-kryeministri nuk ka pranuar të njihet me masën e sigurisë, të caktuar për të në lidhje me dosjen hetimore për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Pas tentativave në seli dhe në shtëpi, Gjykata po shfrytëzon çdo formë dhe çdo adresë për ta njoftuar Berishën për masën, por ky i fundit nuk e ka marrë atë duke krijuar kështu shmangien e radhës për drejtësinë.
Të hënën, më 20 nëntor, Berisha është kërkuar të paraqitet në Gjykatë, ndërsa ish-kryeministri ka deklaruar se nuk do të shkojë me pretendimin se nuk do pranojë të shkelet Kushtetuta. Pas kësaj, ekspertët thonë se Gjykata mund të rishikojë sërish masën e sigurisë për të, por kjo pritet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, në javën që vjen. /abcnews.al

