Një atentat i tipit mafioz ndodhi gjatë orëve të paradites së sotme në lagjen “Chaidari” në Athinë. Disa breshëri të gjata ndaj një makinë luksoze “BMW” dhe pak sekonda më pas një person që del i gjakosur prej andej.
Kjo ishte ajo që panë dëshmitarët e tmerruar nga ngjarja në rrugën “Satovrinou”.
Objektivi i atentatit u dërgua me shpejtësi në spital, por nuk i mbijetoi plagëve të marra, ndërsa makina iu bë shosh me plumba.
Më pas, policia konfirmoi se bëhet fjalë për një biznesmen të njohur grek, i cili shpërndan kafe në Atika, ndërsa është i përfshirë edhe në tregun e lojërave të fatit, përcjell Albeu.com.
Ai është Dimitris Malamas dhe sipas mediave greke njihet për kontaktet e tij të forta me “nëntokën” greke.
Policia është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes, por nuk ka ende një pistë hetimi pasi autorët nuk lanë asnjë shenjë në vendin e ngjarjes.
Atentatet e këtij lloji janë shtuar shumë në Athinë kohët e fundit ku personazhe të nëntokës vriten apo vrasin për të larë hesapet apo për të marrë tregjet.