“Në mandatin tonë të katërt, rritja e pensioneve do jetë pasqyra më kuptimplotë”, Rama: Jam optimist, do bëjmë shumë për pensionistët

schedule10:42 - 18 Nëntor, 2024

schedule 10:42 - 18 Nëntor, 2024

Kryeministri Edi Rama ka deklararuar se në mandatin e katërt të tij, rritja domethënëse e pensioneve do të jetë pasqyra më kuptimplotë në ekonomi. Gjatë fjalës në Kuvend, ai është shprehur se ndihet shumë optimist, duke premtuar se do të bëjë shumë për pensionistët. Madje, Rama ka theksuar se do të bëjë më shumë nga sa kanë bërë të tjerët para tij.

“Për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 10 vjeçari, pensionet si rrjedhojë e reformës së bërë në 2014, llogaritet me kontributet e secilit në sigurimet shoqërore dhe dalin më të larta, ndryshe nga çfarë ndodhte me të pensionuarit përpara ardhjes sonë në qeveri kur “Sudet” dhe “Rrapushët” e asaj kohe as nuk i fusnin fare në hesap kontributet shoqërore të njerëzve punëtorë të këtij vendi, siç bën çdo shtet demokratik ku sasia e pensionit të secilit varet nga sasia e kontributit nga paga e secilit.

Në vend se të luftonin punën në të zezë, të rrisnin fondin e pensioneve me kontributet e çdo të punësuari, të mendonin për të nesërmen e popullit jo vetëm  për pushtetin e tyre, ata i kishin rënë shkurt, deri në 2013. Kishin vendosur një tavan, sado të kishe punuar, sado të kishe kontribuar, nuk e kapërceje dot atë tavan, 24 mijë lekë, i cili hapi praktikisht Shqipërisë me këtë politikë qorre pensionesh gropën më të madhe të borxhit shumëgropësh dhe shumëvrimësh që ne trashëguam kur morëm detyrën.

Ja pse sot falë vendimit të popullit shqiptar për të na ngarkuar neve udhëheqjen e vendit një dekadë më parë dhe falë reformës sonë të pensioneve në vitin 2014, të gjithë ata që kanë dalë në pension gjatë kësaj dekade përfitojnë pensione më të larta në bazë të kontributeve të derdhura gjatë viteve të punës dhe jo sipas vulës së rrumpallës antishtet të dekadave pararendëse kur qindra mijëra të tjerë pensionistë e pësuan në kurriz fatkeqësinë kombëtare të një qeverisjeje “rrapa zhgrapa” dhe i pagunë sot e gjithë ditën asaj rrumpalle një kosto krejt të pa merituar.

Po kur na thonë “Sudet” dhe “Rrapushët” e asaj kohe, ju erdhi jehona dhe këtu sot: “ç’është ky pension kaq i ulët social”? Pikërisht këta! Tamam këta. Varrmihësit anti shtet të pensioneve ngrenë gishtin e akuzës ndaj nesh për nivelin e pensionit social kur në fakt me dorën e tyre i kishin përjashtuar nga çdo e drejtë për pension të gjithë atë kategori njerëzish që marrin pensionin social të cilëve pensioni social iu njoh qysh nga 2014 dhe përpara 2014 shteti nuk u jepte një kokërr leku, zero, nuk figuronin!

Sidoqoftë të dy bonuset e reja dhe plani ri i pensioneve do të ndihmojnë, sigurisht do të ndihmojnë në kurimin e mëtejshëm të asaj plage të gangrenizuar të dy e kusur dekadave të mëparshme dhe dihet botërisht që kjo është plaga më e vështirë për tu kuruar deri në fund, siç dihet botërisht se një skemë e falimentuar pensionesh si ajo që ne trashëguam është një plagë që kohën e shërimit të saj të plotë e ka minimumi po aq të gjatë sa koha e gangrenizimit të saj.

Ne e rivendosëm sistemin e pensioneve mbi bazën demokratike të kontributeve, themele të reja.

Rritëm me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribuues në fondin e sigurimeve shoqërore, i cili është zgjeruar trefish sot nga 400 e ca milionë euro deri dje, janë të shkruara në buxhet, janë të shkruara në buxhetet e mëparshme në 1.2 miliard euro sot, por sot ne kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave edhe në sektorin privat ku jemi përqendruar tani për të rritur të ardhurat kontributive falë dhe modernizmin të mëtejshëm të sistemit të gjurmimit digjital të aktiviteteve të biznesit dhe i modelit të ri të inteligjencës artificiale që po testohet dhe do futet shumë shpejt 24 orë  në punë së bashku me Microsoft.

Prandaj dhe jam shumë optimist që rritja domethënëse e pensioneve do jetë në mandatin tonë të katërt pasqyra më kuptimplotë e transformimit të boshtit të ekonomisë së Shqipërisë në këto vite të qeverisjes sonë.

Çdokush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues pavarësisht nëse e ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik apo e ka të bardhe ngaqë s’ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtet ndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet.

Deri këtu ne kemi bërë për pensionistët jo gjithçka kemi dashur, natyrisht, por gjithçka kemi mundur dhe tanimë që ekonomia në rritje po na krijon mundësi të reja do të bëjmë më tej për ta, çka askush jo vetëm nuk e bën dot, por ja ku i keni, as nuk e ka haberin se si bëhet.

Buxheti i ri është manifestimi më kuptimplotë i këtij dallimi!

Kur ne morëm detyrën për të udhëhequr Shqipërinë prodhimi i përgjithshëm kombëtar ishte më pak se 10 miliardë euro! Sot është mbi 26 miliard euro!”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!