Në Kosovë nuk ndalen të shtënat me armë nëpër dasma, arrestohen 3 persona

schedule11:51 - 7 Gusht, 2023

schedule 11:51 - 7 Gusht, 2023

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste me të shtëna me armë në ahengje familjare, vetëm brenda ditës së djeshme. Tre persona janë shoqëruar në polici dhe të njëjti janë liruar pastaj me vendim të prokurorit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Obiliq është arrestuar një person i dyshuar dhe të njëjtit i janë konfiskuar një armë zjarri, një pistoletë me gaz dhe 91 copë fishekë.

Personi i cili dyshohet të ketë shtënë gjatë një ahengu familjar është liruar derisa rasti sipas Policisë vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia ka njoftuar për një tjetër rast në fshatin Shtedim të Podujevës.

“Në një aheng familjar, nga i dyshuari mashkull  kosovar pronari i shtëpisë, është konfiskuar një armë me gas me një karikator pasi që dyshohet se kishte shtënë në ajër. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja .Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Ndërsa në Viti, në rrugën “Rexhep Bislimi”, Policia ka arrestuar një person dhe të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë me gaz e cila dyshohet të jetë përdorur në një aheng familjar. Personi i dyshuar është liruar dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion edhe një person në Ferizaj.

Rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “Tirana”.

“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 2 gëzhoja. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti  vazhdon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!