Në kërkim për prostitucion/ Kapet kinezja në Rinas, tentoi të largohet jashtë Shqipërisë

schedule09:28 - 24 Gusht, 2024

schedule 09:28 - 24 Gusht, 2024

Një tjetër shtetase kineze është arrestuar nga policia e  Tiranës. 38-vjeçarja me origjinë nga Kina ishte e shpallur në kërkim për veprat penale “Shfrytëzimi prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, dhe “Dëmtime te tjera me dashje”, parashikuar nga nenet 114, 115, 109-b, 90 të Kodit Penal.

Sipas policisë, e dyshuara u arrestua pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se në pkk Rinas, se 38-vjeçarja po tentonte të largohej jashtë Shqipërisë.

38-vjeçarja së bashku me shtetasen Y. Y., 52 vjeçe (arrestuar më parë gjatë operacionit), dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy shtetaset e arrestuara, me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekrutuara.

/abcnews.al/