Në janar i mbaron mandati, Yuri Kim: Do të jem këtu edhe për ca më gjatë…

schedule10:47 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 10:47 - 13 Dhjetor, 2022

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh se do të jetë edhe ca më gjatë në Shqipëri, edhe pse në Janar të vitit të ardhshëm i mbaron mandati.

Deklaratën e saj Yuri Kim e bëri sot në godinën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa nuk theksoi nëse do të ishte apo jo edhe për një mandat tjetër në Shqipëri.

Lexo edhe: “Na duan të heshtur…por jo”, Kim: SHBA, mik i Shqipërisë. Të marrë fund koha e pagesave më të mëdha dhe kërcënimeve më të rënda

Ajo shtoi se gjatë kësaj kohe në Shqipëri ka mësuar shumë gjëra, dhe se në Shqipëri ka një sfidë të madhe përpara.

“Kam 3 vite në Shqipëri, dhe do jem këtu edhe për ca më gjatë. Por kam mësuar që ka një sfidë të madhe këtu, që nuk ndodh se Shqipëria është unike e keqe apo e korruptuar, jo. Kam mësuar se këtu ka histori dhe duhet respekt për historinë e këtij vendi për provojnë dhe sfidat që ky vend përballë.” tha Yuri Kim.

Yuri Kim, ka shtuar mes të tjerash se sot nuk është koha për t’u ndalur, por për të mbledhur forcat që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Ndërkohë në Shqipëri, procedurat për zëvendësimin e ambasadores Yuri Kim kanë nisur. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Jashtme.

“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente.” u tha nga MEPJ.

Kujtojmë se fillimisht është DASH që i dërgon emrin për pëlqim Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe pasi të jetë dakortësuar emri i propozuar, nominohet për postin e ambasadorit nga Presidenti i SHBA-së.

Yuri Kim mbërriti në Tiranë si Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!