Në Indi po regjistrohen viktima më shumë se në çdo fazë të pandemisë që nga fillimi i saj

schedule13:10 - 8 Maj, 2021

schedule 13:10 - 8 Maj, 2021

Numri ditor i viktimave nga Covid-19 në Indi shkoi në 4,000 për herë të parë, të shtunën. Ndërkohë, Tamil Nadu bëhet shteti i radhës që vendos karantinën e plotë për të  frenuar infektimet që janë në rritje.

Ministria e shëndetësisë në vend raportoi 4,187 humbje jete dhe mbi 400,000 infektime të reja ditore në ditën e tretë radhazi. Që nga fillimi i pandemisë, vendi numëron mbi 21 milionë raste pozitive dhe 238,000 vdekje të lidhura me virusin, raporton CNN, përcjell Abcnews.al

Kriza e koronavirusit është duke çuar përtej pikës së kthimit sistemin shëndetësor të vendit. Shtretërit, oksigjeni dhe personelet mjekësore janë tashmë të ezauruar. Ka pacientë që janë duke dhënë shpirt në  dhomat e pritjes ose jashtë spitaleve të mbingarkuara, para se të kenë mundësi që të shihen nga një mjek.

Një numër shtetesh indiane kanë vendosur shtetrrethime totale këtë javë, nga shteti veriperëndimor i Rajasthan në Karnataka në jug, edhe pse kryeministrit Narendra Modi ka paralajmëruar se kjo masë shtrënguese duhet të jetë mjeti i fundit.

“Në situatën e sotme, ne duhet ta shpëtojmë vendin nga bllokimi. Do t’u kërkoja shteteve ta përdorin karantinën si opsionin e tyre të fundit. Ne duhet të përpiqemi shumë për të shmangur bllokimet dhe të përqendrohemi vetëm në zonat e mikro-përmbajtjes,” tha Modi në fund të prillit.

India vendosi një nga bllokimet më të mëdha dhe më të ashpra në botë në mars të vitit të kaluar, kur vendi me 1.36 miliardë banorë numëronte  pak më shumë se 500 raste dhe 10 vdekje të lidhura me sëmundjen.

Masa në të gjithë vendin u njoftua me më pak se katër orë paralajmërim dhe pa planifikim duke shkaktuar një krizë me emigrantët. Po ashtu, mbyllja gjunjëzoi edhe aktivitetin ekonomik të vendit ndërsa bizneset, fabrikat dhe kantieret e ndërtimit ndaluan aktivitetin. Ekonomia u tkurr me 24% nga prilli deri në qershor – rënia më e madhe e Indisë që nga fillimi i regjistrimeve në 1996. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!