Nga Ahmet Zani
Që kur tëmeti ju dëmtoi shtëpinë, 71 vjeçarja Xhemile Meta me djalin dhe familjen e tij gdhihen e ngrysen në çadër dhe në këtë furgon të shkatërruar.
“Është shumë ftohtë në furgon se është hekur”.
Kjo famlije nga Kodër-Mazhe e Bubqit për të përballuar temperaturat nën zero u kthyen në shtëpinë e rënuar.
Flenë në korridor.
“Ja kur rrimë në korridor në këto divanet”.
E dinë që mund t’ju rrezikohet jeta, po të paktën ngrohen me këtë sobë me dru.
“Si jetim kemi ngelur. Korridori u shemb djali i vuri një dërrasë për të vënë sobën që të rrimë ngrohtë se kemi qënë duke vdekur prej të ftohtit 9 ditë”.
Temperaturat e ula janë të papërballueshme dhe për të miturit. Xhemiles i dhimbsen shumë mbesat dhe nipi.
“Fëmija….ftohtë, mbërdhijmë”.
“Me një tufë kalamaj ctë bëjmë. (qan) halle të mëdha si na kanë lënë në këtë të ftohtë të madh”.
Kanë informacion se shtëpia e re do t’ju bëhet në tokën e tyre, por nuk dinë se kur.
“Bëjnë shkollat para shtëpive, të na kishin bërë njëherë shtëpinë pastaj shkollën”.
E moshuara ka një apel për pushtetarët pasi këto tre vjet vite shëndeti i është përkeqësuar.
“Ne o Zot duam një shtëpi, një shtëpi duam me dy dhoma vetëm të futim kokën brenda se mur është s’është hekur e çadër. Hekuri dhe cadra na morën më qafë. Kam ngelur nëpër spitale djali po kështu. Pse? Nga i ftohti”.
Familja Meta ka përfituar bonus qiraje por nuk u larguan nga fshati se kanë tokë dhe gjën e gjallë. /abcnews.al