Nga Juxhin Mustafaraj
Një hurmë ishte shenja e fundit që ngeli në rrugicën përpara banesës, ku u vra 25 vjeçari Klodian Rasha, nga efektivi i Policisë.
Për ironi, një ditë më pas tubimit në kujtim të Klodianit, në muret e Ministrisë së Brendshme shenja është e njëjtë.
Nga muri i kujtesës, boja e zezë ka fshirë emrin e Klodian Rashës, të cilin protestuesit e mbivendosën në krah të yjeve që përfaqësojnë efektivët e rënë në krye të detyrës.
Bojë u hodh edhe në mbishkrimet që mbuluan godinën.
Nata nuk ka mjaftuar për të rikuperuar xhamat e thyer, ndaj edhe punonjësit e ministrisë e kaluan ditën duke inventarizuar objektet e dëmtuara në zyra dhe institucion.
Makina luksoze e ministrit të Brendshëm, mungoi paraditen e të enjtes në sheshin e Ministrisë.
Kryeministria u zgjua e blinduar ku xhama e thyer u zëvendësuan me mbrojtëset metalike.
Në sheshin përpara godinës së Këshillit të Ministrave krahas xhamave u fshinë edhe shenjat e shpërthimeve të gazit lotsjellës.
Shqetësimi në rrjetet sociale për pemën mori zgjidhje në mesditë. Punonjësit e bashkisë rrethuan me gardh metalik bredhin, dhe nisën rivendosjen e zbukurimeve festive. Për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj më shumë se dëmet në kryeqytet ajo që dhemb është vrasja e 25 vjeçarit.
“Kanë të gjithë të drejtën e zotit të mërziten edhe ato që prishin edhe që dëmtojnë qytetin. Rraqe janë nuk është ndonjë hata. Jeta do të vazhdojë, ka një lloj mirëkuptimi kur mërzinë e shfryn, por duhet të bëjmë drejtësi”, thotë Veliaj.
Por a u shua me protestën e të mërkurës, zemërimi qytetar për vrasjen e Klodian Rashës?/abcnews.al/