Ndryshon rrjedha e ngjarjeve, lirohet i arrestuari për vrasjen e 20-vjeçares shqiptare

schedule09:32 - 16 Qershor, 2018

schedule 09:32 - 16 Qershor, 2018

Në Itali një 63-vjeçar italian u ndalua nga policia e vendit fqinj, nën dyshimin se mund të ketë lidhje me vrasjen e 20-vjeçares shqiptare, Anxhela Meçani. Kjo e fundit, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nuk është hedhur nga makina në ecje e sipër pasi është rrahur, por është aksidentuar nga një automjet.

Disa orë marrje në pyetje të një 63-vjeçari italian nuk ishin aq të mbara për policinë e vendit fqinj, që po heton prej gati 1 javë vrasjen e një 20-vjeçarje shqiptare, e dyshuar se shfrytëzohej si punëtore e seksit. Ndalimi dhe marrja në pyetje për disa orë i një 63-vjeçari italian nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara nga hetuesit italianë në provincën e Cuneos.

Ai u ndalua pasi dyshohet se është klienti i fundit i Anxhela Meçanit, 20-vjeçarja shqiptare, e cila u gjet në gjendje kritike orët e para të së dielës në Torino dhe ndërroi jetë 13 orë më vonë në spital. Zhvillimet e papritura erdhen pasi agjentët e policisë shoqëruan një burrë në Fossano për ta marrë në pyetje. Sipas Corriere della Sera, makina e tij Mercedes u sekuestrua dhe iu nënshtrua disa inspektimeve, për të kuptuar nëse është ai mjeti me të cilin u përplas për vdekje e reja shqiptare.

Por pas një nate të tërë të kaluar në polici, 63-vjeçari është lënë i lirë, pasi për momentin mësohet se autoritetet italiane nuk kanë mundur të sigurojnë të dhëna të mjaftueshme për arrestimin e tij. Falë tabulateve telefonike dhe pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë në rrugë, hetuesit mbërritën tek 63-vjeçari në Fossano. Megjithatë, të paktën për momentin duket se nuk ka ende prova që ta bëjnë këtë të fundit përgjegjësin kryesor të vrasjes së shqiptares.

Hetimet tashmë vijojnë për të kuptuar rolin që ka pasur 63-vjeçari në këtë krim.Ndryshe nga sa u dyshua në fillim, se 20-vjeçarja shqiptare u dhunua barbarisht dhe më pas u hodh në rrugë nga një makinë në ecje, rezultatet e autopsisë kanë hedhur poshtë të dyja këto versione.

Sipas mjekut ligjor, e reja është përplasur nga një automjet, që më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kjo shpjegon edhe frakturat e shumta të gjetura në trupin e së resë, që duket se janë bërë nga përplasja, e jo nga dhuna dhe hedhja në rrugë./abcnews.al