“Ndrysho politikën”/ Netanyahu-Macronit: Pozicioni i Francës për embargon e armëve, i turpshëm

schedule16:36 - 17 Tetor, 2024

schedule 16:36 - 17 Tetor, 2024

Në një intervistë ekskluzive që dha për gazetën franceze Le Figaro, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke komentuar ndër të tjera qëndrimin e presidentit francez Emmanuel Macron për një embargo ndërkombëtare kundër Izraelit për armët  e përdorura në Gaza dhe Liban, e quajti atë “e turpshme” dhe i bëri thirrje Francës të ndryshojë politikën e saj.

Në veçanti, ai tha: “Izraeli beson se miqtë e tij në Evropë, si Franca, duhet ta mbështesin atë. Sepse është qytetërimi ynë i përbashkët që ne po mbrojmë në luftën me shtatë fronte që po bëjmë kundër boshtit iranian të terrorizmit. Në luftën tonë kundër Hamasit, kundër Hezbollahut, kundër Houthis, kundër regjimit iranian, ne po luftojmë njerëz që i urrejnë të gjitha vlerat për të cilat përfaqëson Evropa. Ndërsa Irani siguron që mbështetësit e terrorizmit në Lindjen e Mesme të furnizohen mirë me armë, Franca po bën thirrje për një embargo armësh ndaj Izraelit. Edhe pse nuk marrim armë nga Franca, këtë apel e konsideroj të turpshme. Shpresoj se Franca do të ndryshojë politikën e saj në mënyrë që të mund të bashkëpunojmë për stabilitetin e Libanit, si dhe për çështje të tjera rajonale”.

I pyetur për të komentuar deklaratën e presidentit francez se Izraeli u krijua nga Kombet e Bashkuara, Benjamin Netanyahu argumentoi se ishte një shenjë e injorancës historike dhe mungesës së respektit.

Kombet e Bashkuara njohën të drejtën e popullit hebre për një shtet, por sigurisht nuk e krijuan një të tillë. Populli hebre ka qenë i lidhur me tokën e Izraelit për 3500 vjet, tha ai, duke komentuar se “të thuash se OKB-ja krijoi shtetin e Izraelit është një shtrembërim i trishtuar i historisë”.

I pyetur për planin e tij për të ardhmen e Rripit të Gazës, ai e prezantoi atë si vijon:

“Tri synimet tona për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në Gaza janë: 1) çmontimi i aftësive ushtarake dhe politike të Hamasit, kjo është arritur praktikisht – 2) çmilitarizimi i Rripit të Gazës – kjo do të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje politike të ardhshme – 3) de-radikalizimi i shoqërisë palestineze në Gaza, është e rëndësishme që njerëzit atje të mos mësohen më të urrejnë dhe të masakrojnë hebrenjtë që në moshë të re. Ky de-radikalizim do të arrihet me ndihmën, në terren, të partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë të suksesshëm në këtë fushë. Dhe kjo është ajo që do të garantojë një të ardhme paqeje për palestinezët dhe izraelitët”./abcnews.al