Ndryshimi i klimës, alarmi i OKB: Kemi 2 vite për të shmangur katastrofën

schedule20:14 - 11 Shtator, 2018

schedule 20:14 - 11 Shtator, 2018

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka dhënë alarmin se bota ka 2 vite kohë për të punuar kundër ndryshimeve klimaterike, për të shmangur një katastrofë të mundshme. Ai ftoi shoqërinë civile që të kërkojë llogari ndaj udhëheqësve botërorë.

Bota ka dy vjet për të ndërmarrë veprime kundër ndryshimeve klimatike dhe për të mos u përballur me “pasoja katastrofike”. Ky është paralajmërimi i lëshuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i cili fton shoqërinë civile të “kërkojë llogari” ndaj udhëheqësve botërorë mbi klimën.

“Nëse ne nuk e ndryshojmë drejtimin deri në vitin 2020, ne rrezikojmë pasoja katastrofike për qeniet njerëzore dhe për sistemet natyrore që na mbështesin”, tha Guterres.

Fjalimi i tij në Pallatin e Qelqit arrin tri ditë para një takimi të paprecedentë botëror për veprim klimatik që do të sjellë së bashku mijëra zyrtarë të zgjedhur, kryetarë komunash, udhëheqës të OJQ-ve dhe bizneseve në San Francisko.

“Është e domosdoshme që shoqëria civile – të rinjtë, grupet e grave, sektori privat, bashkësitë fetare, shkencëtarët dhe lëvizjet mjedisore në të gjithë botën – duhet tu kërkojnë llogari udhëheqësve”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Duke përmbledhur kërcënimet ndaj zinxhirit ushqimor dhe qasjes në ujë, Guterres tha se bota po përballet me një kërcënim të drejtpërdrejtë ekzistencial dhe “sfidën më të madhe” të sotme.

“Ndryshimi i klimës – shtoi ai – po ecën më shpejt se ne. kemi mjetet për të bërë veprimet tona efektive, por na mungon, madje edhe pas marrëveshjes së Parisit, lidershipi dhe ambicia për ta bërë këtë, që duhet të bëjmë”, tha sekretari i OKB-së.

Prandaj, “ne duhet të ndalojmë shpyllëzimin, të restaurojmë pyjet e degraduara dhe të ndryshojmë mënyrën se si kultivojmë. Ne gjithashtu duhet të shqyrtojmë mënyrën e ngrohjes, ftohjes dhe ndriçimit në banesa për të shpenzuar sa më pak energji”.

Guterres gjithashtu kujtoi se ai do të organizojë një samit botëror mbi klimën në Kombet e Bashkuara në shtator të 2019-s, një vit përpara afatit përfundimtar për nënshkruesit e marrëveshjes së Paris 2015 për të përmbushur angazhimet e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!