Banorët e Sukthit protestuan sot kundra ndotjes mjedisore që vjen nga djegia e mbetjeve në terren të hapur. Ata akuzojnë Bashkinë e Durrësit për situatën e krijuar dhe jetesën mes mbeturinave prej më shumë se 15 vitesh.
Kjo është pamja me të cilën përballen çdo ditë banorët e Sukthit në Durrës. Djegie e mbeturinave në terren të hapur. Jetesa në kushtë të tilla i ka ngritur në protestë kundër ndotjes mjedisore. Tymi dhe mbetjet toksike kanë pushtuar gjithë zonën. Banorët e kësaj njesie administrative thonë se po shohin vdekjen me sy.
“Tym me hektarë të tërë dhe nuk interesohet askush”.
“Frymëmarrja, probleme fëmijtë , njerëzit të gjithë. Sëmundje më e keqe nuk ka më”.
“Mirë ne mosha e vjetër, por fëmijët e vegjël”.
Protestuesit akuzojnë kryebashkiakun Vangjush Dako për këtë krim mjedisor.
“Po ndotet gjithnjë e më shumë vendi dhe pasojat janë shumë të rënda. Janë paguar taksat për të bërë pastrimin jo për të helmuar njerëzit e kësaj zone”.
“Paguajmë taksa që të na vrasin. Paguajmë taksa që të na i djegin mbeturinat në oborr”.
Një ditë më parë protestuan për ndotjen në Porto Romano studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Bashkia ka tre pika të nxehta, vendgrumbullimin e Porto Romanos, atë të Sukthit dhe një në Manëz. Situata e rëndë vazhdon prej 15 vitesh dhe Durrësi konsiderohet ndër qytetet më të ndotura në vend./abcnews.al