Ndjekje me makina dhe arratisje, kapen 4 hajdutët shqiptarë

schedule17:53 - 23 Gusht, 2018

schedule 17:53 - 23 Gusht, 2018

Pas një shkëmbimi zjarri dhe një ndjekjeje të gjatë në rrugë, policia italiane ka arritur të vërë në pranga 4 shtetas shqiptarë, përgjegjës për një seri grabitjesh në vilat e një qyteze në jug të Italisë.

Policia italiane ka arrestuar 4 shtetas shqiptarë, të cilët kishin formuar një grup kriminal aktiv në grabitjen e vilave në provincën e Kazertës, në jug të vendit. Sipas mediave italiane, në pranga kanë rënë shtetasit Neritan Tasha, Adem Bodini, Mensur Daci dhe Kostandin Cera, të moshave 22, 27, 33 dhe 34 vjeç, të gjithë me precedentë penalë.

Gjithçka ka ndodhur natën mes së mërkurës dhe së enjtes, kur patrullat policore kanë vënë re makinën me të cilën udhëtonin 4 grabitësit, një “Alfa 147”, që ulte shpejtësinë dhe në disa raste ndalonte kur kalonte pranë banesave private. Kjo sjellje ka ngritur dyshime tek efektivët, të cilët i janë vënë pas mjetit të 4 të rinjve.

Këta të fundit, pasi kanë konstatuar praninë e patrullave kanë shtuar shpejtësinë dhe kanë dalë në një rrugë periferike për të humbur gjurmët. Këtu ka nisur edhe ndjekja, që ka përshkuar një seri lokalitetesh përreth provincës, si Teverola dhe Kaivano, ku mjeti i keqbërësve është bllokuar. Por shqiptarët nuk janë dorëzuar. Dy prej tyre kanë dalë nga mjeti dhe pasi kanë goditur dy agjentë kanë marrë arratinë.

Ndërsa dy të tjerët, që ishin ende në automjet, i kanë dhënë gaz dhe fillimisht kanë goditur makinën e policisë dhe më pas njërin prej efektivëve, duke e hedhur në tokë. Në këtë moment, ndjekja ka filluar sërish deri në një bllokim të dytë, kur një prej grabitësve ka dalë nga makina dhe ka nxjerrë pistoletën, por është qëlluar nga një prej agjentëve.

Ndërsa tjetri ka ndërruar marshin, ka shkelur gazin dhe pasi ka spostuar mjetin e policisë është larguar sërish. Pavarësisht se me shpejtësi të lartë, “Alfa 147” është arritur nga agjentët dhe një fërkim i ka nxjerrë të dyja makinat jashtë rruge. Këtu janë treguar më të shkathët efektivët, të cilët kanë prangosur drejtuesin.

Ndërkohë, agjentë të tjerë kanë vijuar kërkimet për dy shqiptarët e tjerë, të cilët janë gjetur kur kanë zbritur nga një “Audi” i zi për të hyrë në një banesë. Menjëherë në kyçet e tyre janë vënë prangat dhe gjatë kontrollit të banesës policia ka gjetur sende të shumta me vlerë si bizhuteri, ora të shtrenjta, shuma parash dhe madje shishe likeresh me vlerë të lartë; objekte të cilat grabitësit nuk i kanë justifikuar dot.

Me urdhër të Gjykatës së Napolit, 3 nga grabitësit janë dërguar në burgun Poxhoreale, ndërsa i plagosuri në një spital civil nën mbikëqyrjen e agjentëve. Ndaj tyre rëndojnë një seri akuzash si grabitje, tentativë vrasjeje, rezistencë ndaj funksionarëve publikë dhe qëndrim të paligjshëm në territorin e Italisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!