“Ndiqni ëndrrat tuaja”, Rama ironizon veten para maturantëve: Unë kam vetëm diplomë bojaxhiu, nëse ju merr malli hapni frigoriferin

schedule19:40 - 27 Qershor, 2022

schedule 19:40 - 27 Qershor, 2022

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e diplomimit të maturantëve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.

Në fjalimin e tij, Rama u bëri thirrje maturanteve të kenë besim në vetvete  dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, gjithmonë duke qenë realistë.

Megjithatë Rama nuk nguroi të bëjë batutat me maturantët. Teksa tha se vetë ka vetëm një diplomë bojaxhiu, u tha studentëve se me besim dhe punë asgjë nuk është e pamundur.

“Së pari dua t’ju uroj nga zemra prindërit tuaj, nënat tuaja që ju kanë ndenjur pranë çdo ditë që ju presin me zemër ngrirë kur vonoheni në darkë dhe që duan për ju më të mirën. Vajzave nuk ia kam merakun. Djemve i uroj mos i harrojnë kurrë sakrificat e prindërve. Me këtë rast nga këtu nuk ka vend më të mirë për ti uruar me gjithë zemër të gjithë prindërit e maturantëve. Së dyti dua të përgëzoj dhe falënderoj mësueset tuaja.

Po shikoja të gjeja ndonjë mësues, i paskeni ja dy hudhra në fund atje. Shumë mirënjohje për të gjitha vështirësitë e hasura prej tyre, edhe për të gjithë respektin që tregoni për ta sepse kur përmenden mësuesit ju duartrokitët me zjarr dhe për këtë meritoni edhe ju respekt.

E fundit, më vjen keq që po ikni ndërsa shkolla do të hapet në shtator, por janë disa shkolla, pak shkolla ndër të cilat edhe Samiu që nuk janë thjeshtë shkolla, por vëllazëri që vijon në vite e dekada, kështu që unë nuk kam pasur fatin të jem as ke Samiu, as ke Petro Nini, por e përmbaj zilinë për ju, sepse nuk e kanë të gjithë fatin tuaj.

Besoj që në këtë sallë, jam i vetmi që s’kam as Master as  Doktoraturë, kam një diplomë bojaxhiu, ju kurrë mos dorëzohuni për të realizuar çdo ëndërr që e shihni me sy hapur. Nga ëndrrat me sy mbyllur bëni kujdes. Kjo botë është e atyre që nuk dorëzohen dhe me durim e guxim realizojnë ëndrrat. Po e mbyll sepse jam i bindur që asnjë prej jush nuk e kishte marrë malli për mua, nëse dikë e merr malli dhe TV është i zënë, hapni frigoriferin se më keni aty. Kini besim! Asgjë nuk është e pamundur nëse keni besim”, tha kryeministri.
/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!