Një emigrant shqiptar në Greqi dhe 2 të tjerë egjiptianë janë vlerësuar personalisht nga kryeministri Tsipras për ndihmën e dhënë për të shpëtuar jetë njerëzish gjatë tragjedisë së zjarrit në Atikë. Si shpërblim atyre do t’u jepet edhe shtetësia greke.
Tre emigrantëve që jetojnë prej më shumë se 20 vitesh në Greqi, mes të cilëve një shqiptar, do t’u jepet shtetësia greke për kontributin e tyre në shpëtimin e jetëve të banorëve të Atikës nga zjarri tragjik i 23 Korrikut.
Kryeministri Tsipras shkoi vetë në Mati, në periferi të Athinës, zona që u prek nga zjarri i madh ku vdiqën rreth 100 persona. Ai falenderoi emigrantët e huaj, që sëbashku me kolegët e tyre peshkatarë grekë shpëtuan dhjetëra jetë njerëzish.
Gjatë takimit me banorët e zonës, Tsipras tha se këta njerëz i konsiderojmë qytetarët tanë pasi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në komunitet.
Po ashtu Kryeministri Tsipras shkroi në Twitter: “Peshkatarët vendas dhe emigrantë bënë një betejë heroike gjatë tragjedisë, duke shpëtuar jetë. Shteti e njeh sakrificën e tyre. Ne i falenderojmë”.
Ministria e Brendshme e Greqisë është angazhuar me procedurat për dhënien e shtetësisë së 3 emigrantëve të huaj, një shqiptar dhe dy egjiptiane./abcnews.al