Askush nuk dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë më shumë se sa ukrainasit, por ajo duhet të rezultojë në paqe, tha kreu i administratës presidenciale të Ukrainës për në Davos, pasi presidenti Volodymyr Zelensky iu drejtua delegatëve duke i bërë thirrje Evropës të zgjohet.
“Evropa nuk mund ta lejojë veten të jetë e dyta apo e treta në radhë për aleatët e saj”, tha presidenti ukrainas.
Kreu i administratës së tij, Andriy Yermak, pohoi se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e kontinentit, për t’i dhënë fund luftës që ajo kurrë nuk donte të ndodhte në radhë të parë.
“Ne jemi viktimë e këtij agresioni dhe me të vërtetë duam të rivendosim një paqe të drejtë. Ne duam t’i japim fund kësaj lufte. Por sigurisht, këtë vit në Davos, fjalimi i presidentit ishte posaçërisht për këtë moment dhe për Evropën”, shpjegoi Yermak.
Fjalimi i Zelensky në Davos erdhi vetëm një ditë pas inaugurimit të presidentit të SHBA, Donald Trump dhe autoritetet e Kievit mbeten të sigurta se administrata e re amerikane do të qëndrojë në krah të Ukrainës.
“Ne vlerësojmë gatishmërinë e presidentit të SHBA-së dhe administratës së re për ta bërë atë realitet dhe për t’i dhënë fund luftës me paqe të drejtë”, tha Yermak.