Ndihma për të përmbyturit në Novoselë

schedule16:39 - 28 Dhjetor, 2017

schedule 16:39 - 28 Dhjetor, 2017

Ka nisur shpërndarja e ndihmave për banorët e dëmtuar nga përmbytjet në Novoselë. Drejtuesit e pushtetit vendor në Vlorë u shprehën se shpërndarja do të bëhet përmes një protokolli të hartuar për të qenë sa më transparente shpërndarja e tyre.

Pësuan dëmtime të shumta familjet e përmbytura në Novoselë si pasojë e reshjeve të dendura që përfshinë vendin, në fund të muajit Nëntor.
Drejtues të pushtetit vendor në Vlorë kanë nisur shpërndarjen e ndihmave ushqimore, por edhe elektroshtëpiake.

“Me iniciativë të ministrit Gjiknuri dhe mbështetje të Fondit Kuvajtjan, jemi këtu për të shpërndarë disa ndihma në ushqimore dhe pajisje elektroshtëpiake. Kemi të evidentuar shumë familje, besoj që brenda ditës do të bëjmë të gjithë shpërndarjen jo vetëm të ndihmave por edhe të pajisjeve elektroshtëpiake’

Nga ana e tij kreu i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli u shpreh se që në ditët e para të përmbytjeve Bashkia e Vlorës ngriti grupet e punës në terren për të evidentuar të gjitha shtëpitë e prekura nga përmbytjet.

“Bashkia e Vlorës ka ngritur grupet e kontrollit për të gjitha territorin, grupe të veçanta të cilat, ndryshe nga herët e tjera kanë qenë të monituara dhe të ndjekura, përveç stafit të bashkisë së Vlorës, punonënjësit e njësisë administrative në Novoselë kanë qenë kryepleqtë, kryetarët e fshatrave si edhe këshilltarët bashkiakë. Të djathtët pavarësisht se janë thirrur nuk kanë qënë prezentë në procesin e vlerësimit në territor. Është bërë një punë serioze për vlerësimin e të gjithë problematikave të konstatuara sidomos në elektroshtëpiake dhe sot falë ndërhyrjes dhe përkujdesjes së veçantë të ministrit Gjiknuri, përmes një financimi të fondit kuvajtian kanë mbërritur në Vlorë ndihmat që kemi nisur ti shpërndajme me ndihmën e ushtrisë”.

Kryebashkiaku Leli tha se shpërndarja do të bëhet përmes një protokolli të hartuar për të qenë sa më transparente shpërndarja e tyre, ndërsa apeloi banorët që me kartë identiteti të paraqiten në Rezervat e Shtetit, duke firmosur një formular për objektet e dëmtuara që do të marrin në kuadër të kësaj ndihme./abcnews.al

Gazetare e ABC News: Yllka Kamencia