Ndëshkohen 621 qytetarë pa maskë, e pëson keq 41-vjeçari i infektuar në Kakavijë

schedule15:42 - 27 Tetor, 2020

schedule 15:42 - 27 Tetor, 2020

Gjatë 24 orëve të fundit policia ka vijuar me kontrollet në kuadër të zbatimit të masave anti-Covid. Blutë bëjnë me dije se si rezultat i kontrollit janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Mëoshet se në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga  Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.

Njoftimi i plotë:

Intensifikohen kontrollet për monitorimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat  e Policisë kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 621 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Në Gjirokastër është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një 41-vjeçar nga  Mallakastra, i cili ka tentuar të kalojë në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke qenë i infektuar me COVID-19.

Në Elbasan është ndëshkuar me masë administrative 1 milion lekë shtetasi P. N., pasi në lokalin në pronësi të tij, në Hotolisht, Librazhd, ka organizuar një ceremoni martesore, ne kundërshtim me masat anticovid.

Në Durrës është ndëshkuar me masën 5.000 lekë, një 21-vjeçar, pasi është konstatuar përsëritës i mosmbajtjes së maskës, herën e parë në rrugë dhe herën e dytë në një automjet, me drejtuesin e të cilit nuk kishte lidhje familjare.

Gjithashtu, është ndëshkuar më masë administrative 1 milion lekë shtetasi E. B., pasi ka mbajtur hapur lokalin në pronësi të tij, në lagjen nr. 7, Korçë dhe ka vendosur muzikë pas orës 20:00 në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!