U gëzuan që pas shumë vitesh rruga 2.8 km e fshatit Qukës-Skënderbe po rikonstruktohet. Tani që punimet kanë nisur ankohen për cilësinë e dobët të tyre.
“E shtruan për dy javë pse asfalt është ky.”
“Rruga po shkatërrohet që tani.”
Banorët e Qukës Skënderbe të Përrenjasit thonë se nuk janë njohur me projektin. Kur kanë dashur të bisedojnë për problemet e konstatuara, inxhinerët dhe punëtorët i kanë shmangur.
“Subjekti nuk kontakton me ne. Sa na shohin largohen. Të na tregojnë projektin. Duam ta bëjnë me standarde. S’ka kanalizime, s’ka tubacione të shkarkimit të ujërave. Këtu duhet të zgjerohet kthesa shih sa e ngushtë është.”
“Që këtu ku nis rruga se vjen uji nga mali e na derdhet këtu. Tek shtëpia ime do përplaset. Pritat nga një pëllëmbë i kanë bërë. Deri tani është bërë shkel e shko.”
Kjo është një zonë që sa herë ka reshje toka rrëshqet ndaj banorët thonë se muret mbajtës që po ndërtohen janë të ulëta dhe pa themele.
“Këtu ka qenë me mur guri tani hidhet beton, pa themele.”
Rruga do të lidhë 1.200 banorët me aksin kombëtar Përrenjas-Librazhd. Abc u interesua pranë Bashkisë së Përrenjasit përgjigja e vetme që morëm është se projekti është në zhvillim.
Bashkia e Përrenjasit ka shpenzuar 43.2 milionë lekë me TVSH për rikonstruksionin e rrugës të fshatit Qukës-Skënderbe. Investimi po kryhet nga kompania “Shkëlqimi 07”. Nisi në 24 nëntor të vitit të shkuar me afat kohor 4 mujor. /abcnews.al/