Emocione, nostalgji dhe shumë mirënjohje në skenën e teatrit “Petro Marko” të Vlorës. Regjisori, mjeshtri i kamerës dhe penës, Dhimitër Anagnosti ka qenë protagonisti i parë i cili është vlerësuar në ciklin e eventeve kulturore “Mirënjohje për artistët e kinematografisë shqiptare”. Në skenë u ndërthurën montazhe të filmave më të njohur të mjeshtrit Anagnosti, interpretime skenike të aktorëve dhe ekzekutimi i kolonave muzikore të filmave nga orkestra e drejtuar nga dirigjenti Oleg ARAPI.
Emra të mëdhenj të filmit shqiptar bashkëpunëtor në jetë e në skenë të regjisorit si Roza Anagnosti, Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami kanë qenë pjesë e këtij organizimi.
Kryebashkiaku Dredha konfirmon vijimësinë aktiviteteve të tilla kulturore në Vlorë.
Në këtë aktivitet do të nderohen të tjera figura të shquara të kinematografisë shqiptare./abcnews.al