“Detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”
5-maji, Dita e Dëshmorëve solli në kujtesë 231 Dëshmorët e Policisë së Shtetit, të cilët dhanë jetën për më shumë rend e siguri.
“5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban. Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës”, tha Skënder Hita.
Sakrificën e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit e përkujtoi edhe Franc Zylyftari djali i Dëshmorit Arben Zylyftari i cili tha se sakrifica e tyre I bëri pjesë të historisë sonë.
“Dhimbja është e madhe dhe kthehet në një plagë e cila fle ndër vite, por vepra e tyre jeton në kujtesën tonë dhe në vlerat që ata përfaqësuan.
Sakrifica e tyre i bëri ata pjesë të historisë sonë, duke lënë pas një trashëgimi nderi dhe dinjiteti.
Emrat e tyre janë të gdhendur përjetësisht në librin e historisë, si kujtesë e sakrificës sublime dhe si thirrje për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për ne”, u shpreh Franc Zylyftari.
Emrat e 231 Dëshmorëve të Policisë të rënë në krye të detyrës janë gdhendur në memorialin që iu kushtohet atyre.


