Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin një ditë më parë, ku një pallat u përfshi nga flakët, duke shkaktuar djegien e plotë të rreth 30 apartamenteve dhe panik të madh te banorët. Përmasat e zjarrit dhe vështirësitë në menaxhimin e situatës u bënë pjesë e diskutimit në emisionin “Real Story”, ku ekspertë të sigurisë analizuan ndërhyrjen dhe sfidat e hasura gjatë operacionit të shpëtimit.
Eksperti i sigurisë, Faik Basha, e cilësoi situatën si jashtëzakonisht të rëndë, duke theksuar mungesën fillestare të informacionit për personat e përfshirë dhe vështirësitë në kontrollin e turmës.
Ai vlerësoi reagimin në kohë të zjarrfikësve dhe rolin vendimtar të ndërhyrjes ajrore, duke nënvizuar se përdorimi i helikopterit ka qenë kyç në përballimin e emergjencës dhe shpëtimin e jetëve.
“Kemi pasur një situatë shumë të rëndë, ku informacioni mbi njerëzit ishte shumë i pakët. Zjarrfikësit kanë ardhur në kohën e duhur për t’iu përgjigjur situatës. Është jashtëzakonisht e vështirë për të menaxhuar njerëzor, jo vetëm ata që kishin hallin, por ata që rrinë si spektatorë. Kjo situatë duhet marrë fund në vendin tonë. Kemi zjarrfikës që e kanë menaxhuar zjarrin nga jashtë. Pjesa e helikopterit, mendoj se ka kryer një detyrë shumë të vështirë, është manovrueshmëri e jashtëzakonshme. Nuk është çmenduri. Jashtë vendi përdoret gjerësisht. Ky nuk është helikopter vetëm për fikjen e zjarrit, është multifunksional. Manovrat janë profesionale. Situata ka qenë emergjente dhe njerëzit nuk janë identifikuar dhe helikopteri na ka ndihmuar jashtëzakonisht”, tha eksperti i sigurisë.


