Ndalimi i muzikës, Zoga: Shume biznese janë penalizuar padrejtësisht, si do mbijetojnë artistët?

schedule19:51 - 21 Korrik, 2020

schedule 19:51 - 21 Korrik, 2020

Një grup qytetaresh, pronarësh biznesesh dhe artistë protestuan mbrëmjen e së hënës para selisë së kryeministrisë kundër Aktit Normativ për mbylljen e lokaleve të natës dhe ndalimin e  muzikës pas orës 20.00.

Të rinj aktivistë, artistë dhe biznesmenë benë thirrje për anulimin këtij akti.

Për të folur më tepër rreth ndikimit që ky Akt Normativ ka tek bizneset e prekura, për “Friend Zone” foli këtë të martë Artemis Zoga, themeluesi i një prej kompanive të eventeve më të rëndësishme në Tiranë.

Sipas tij, pritej që të vendoseshin kufizime për këto biznese për shkak të rritjes së numrave, por shtoi se “ka shumë subjekte që janë penalizuar kot.”

“Nuk është se ishte diçka që nuk e prisnim. E prisnim për shkak të rritjes së numrave. Ka pasur subjekte që nuk i kanë zbatuar të gjitha masat, të jemi realist. Por shumica janë penalizuar kot. Sepse kishin minimizuar edhe sasinë e tavolinave, apo karriget. Frenonin numrin e njerëzve dhe taksat vijonin t’i paguanin njëlloj…E kemi përkrahur pjesën që duhet të qëndrojmë pak ambienteve të mbyllura dhe klabimit. Pjesa më qesharake pastaj është ndalimi i muzikës. Në asnjë vend të botës nuk ndalohet muzika, është gjëja më e shenjtë që kemi,” u shpreh Zoga.

I pyetur se si nisi ideja për protestës, ai shpjegoi se artistët dhe baret kanë një chat ku diskutojnë mes tyre, dhe aty nisi revolta si fillim dhe më pas e gjetën veten përpara kryeministrisë.

Si nisi ideja për protestë?

Artemis Zoga: “Ne disponojmë një chat ku janë të gjithë artistët dhe baret. Ky chat është krijuar që në fillim të karantinës. Nga ky chat nisi pjesa e irritimit. Pastaj s’u mor vesh fare sesi u veprua në atë mënyrë dhe papritur u gjendëm para kryeministrisë me të drejtë për pjesën e muzikës.”

Zoga shpjegoi se ata nuk synojnë të kundërshtojnë rregullat për përmbajtjen e koronavirusit. Ajo që ata kërkojnë është të tërhiqet pas “frenimi i muzikës.”

“Jemi të përgatitur që ta mbrojmë artin me çdo kusht. Ne synojmë që të tërhiqet mbapsht ajo puna e frenimit të muzikës. KM duhet ta dijë që jo të gjithë artistët kanë lekë që t’i mbijetojnë kësaj situate. Ne ishim në krizë para karantinës dhe pandemisë, dhe tani nuk mund ta imagjinoni situatën..,” shpjegoi ai. /abcnews.al/