Një mbrëmje që premton ritëm, emocione dhe shumë energji pozitive! “Talent Fest”, festivali-koncert që sjell në qendër talentet e reja dhe muzikën e vërtetë shqiptare, vjen si një festë artistike ku skena i përket brezit të ri.
Në studion tonë, këngëtarët Xhoni Jesku dhe Mentor Bejaj rrëfejnë emocionet e një eventi që synon të kthehet në një trampolinë të vërtetë për artistët e rinj. Një natë e mbushur me tinguj, pasion dhe performanca live, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë nga afër energjinë e artistëve të rinj që po kërkojnë të bëjnë emër në muzikën shqiptare.
Skena e Teatrit të Hapur “Mirush Kabashi” do të ndizet nga zëra të rinj, performanca live me band muzikore dhe një atmosferë dinamike që premton shumë “good vibes”. Në qendër të këtij festivali është pikërisht promovimi i talenteve të reja dhe nxitja e tyre drejt muzikës cilësore shqiptare.
Ideja e “Talent Fest” nisi nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, duke bashkuar artistë të rinj, instrumentistë premtues dhe grupe muzikore në një event ku talenti është protagonisti kryesor.
Në skenë do të ngjiten 5 këngëtarë të rinj, 2 grupe bende muzikore dhe instrumentistë të talentuar, ku secili artist do të performojë 3 këngë: një krijimtari të re dhe dy këngë të përzgjedhura nga repertori më i bukur i muzikës shqiptare.
Por surprizat nuk mbarojnë këtu! Përveç muzikës live, publiku do të shijojë edhe një performancë stand-up komedi/monolog, duke e kthyer mbrëmjen në një eksperiencë artistike të plotë.
Nëse doni muzikë, energji dhe emocione autentike, takimi është të premten në orën 19:30, në Teatrin e Hapur “Mirush Kabashi” – dhe lajmi më i mirë? Hyrja është e lirë!


