Ndaj Salernitana vjen lamtumira, Pioli mbyll “kapitullin” te Milan

schedule22:16 - 22 Maj, 2024

schedule 22:16 - 22 Maj, 2024

Sfida ndaj Salernitana do të jetë e fundit e Stefano Piolit në stolin e Milan, me “Djajtë”, që kanë njoftuar këtë të mërkurë, agjentin e trajnerit se nuk ka ndërmend të vazhdojë bashkëpunimin me teknikun italian dhe se tashmë pritet që palët të ulen në tryezë për të gjetur një marrëveshje për ndërprerjen e kontratës, që është e vlefshme deri në verën e 2025-ës.

Largimi i teknikut 58-vjeçar emilian ishte i pritshëm, pasi drejtuesit e Milan kanë nisur prej kohësh kërkimet për një trajner të ri, megjithatë njoftimi zyrtar për agjentin ka ardhur vetëm këtë të mërkurë dhe fill pas ndeshjes së fundit pritet të zyrtarizohet edhe marrëveshja për prishjen e kontratës.

Ndërkaq, kujtojm se Pioli mori drejtimin e Milan në dhjetor të 2019-ës dhe që atëherë ka fituar një titull kampion në sezonin 2021-2022, megjithatë vendi i dytë këtë sezon duket se nuk i ka bindur drejtuesit që të konfirmojnë vazhdimësinë e tij.

Emri favorit për të marrë drejtimin e Milan duket portugezi Paulo Fonseca, tekniku aktual i francezëve të Lille, i cili ka një të shkuar edhe në stolin e “Verdhekuqve” të Roma, teksa nuk përjashtohet as pista Roberto De Zerbi, me italianin që mbylli bashkëpunimin me anglezët e Brighton dhe është i lirë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!