Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se e ardhmja e Aleancës ushtarake është në rrezik për shkak të dallimeve në rritje mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Stoltenberg ka paralajmëruar se nga një situatë e tillë mund të përfitojë Rusia.
Lidhje mes Europës dhe Amerikës së Veriut duhet ruajtur dhe mbrojtur në interes të sigurisë së Perëndimit, por ajo nuk është e pathyeshme. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një fjalim të mbajtur në Londër.
“Nuk është e shkruar në gur që lidhja ndëratlantike të jetojë përgjithmonë”, ka paralajmëruar Stoltenberg përpara një takimi me kryeministren britanike Theresa May.
Numri një i Aleancës ka insistuar mbi rëndësinë e sigurisë së përbashkët dhe i ka mëshuar rrezikut që vjen nga Rusia. Megjithatë, Stoltenberg ka nënvizuar se takimi i mundshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin nuk bie ndesh me politikat e NATO-s. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm është shprehur optimist se diferencat mes palëve mund të tejkalohen.
“Historia ka treguar se kemi qenë në gjendje të tejkalojmë dallimet, të bashkohemi rreth një qëllimi të përbashkët, të qëndrojmë të bashkuar dhe të mbrojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Stoltenberg.
Samiti i vendeve anëtare të Aleancës ushtarake që do të mbahet në Korrik pritet të vërë në provë unitetin mes Europës, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, që nën drejtimin e presidentit Donald Trump kanë dhënë sinjale përçarëse./abcnews.al