Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, i ftuar në një intervistë në “News Line” në ABC News, komentoi zhvillimet e fundit në kuadër të Samitit të NATO-s, duke u ndalur te sfidat me të cilat përballet Aleanca, roli i SHBA-së, si dhe pozicioni i Shqipërisë.
Duke komentuar pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në Samitin e NATO-s, Kamberi tha se prania e kreut të qeverisë shqiptare tashmë është kthyer në një traditë dhe pasqyron konsolidimin e rolit të Shqipërisë në Aleancë.
“Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar është një traditë, dhe gati Shqipëria po konsolidon traditën e saj. Risia që mund të jetë, është që Samiti i ardhshëm mund të zhvillohet në Tiranë dhe kjo përbën një sfidë. Sepse ka një peshë tjetër sa i përket sigurisë dhe pjesëmarrjes. Nga pikëpamja e imazhit Shqipëria merr një rol më rëndësi. Është një vlerë për Shqipërinë, por mbart sfida siç e thashë”, tha Kamberi.
Kamberi theksoi se NATO ka dëshmuar ndër vite aftësinë për t’u përshtatur me krizat dhe për të ruajtur rolin e saj si garantuese e sigurisë së vendeve aleate.
“Trump mes frazave fut shpesh edhe mjaft elementë që ngjallin mundësi apo shpresë për optimizëm, ndërsa thotë se nuk i pengon diplomatët të vazhdojnë bisedimet për situatën mes SHBA dhe Iranit. Samiti i NATO-s, vetë filozofia e saj kishte për qëllim të mbrohej apo të mbronte vendet aleate. NATO vazhdojë ta përditësojë veten e vet duke u përshtatur me krizat dhe vetë Ballkani është i vetëdijshëm për rolin e saj për mbështetjen dhe zgjidhjen e disa krizave. Diplomacia amerikane ka qenë gjithmonë e interesuar për paqe, dhe Turqia në situatën e Lindjes së Mesme po merr një rol të veçantë. Dhe gjithashtu mund të jetë një nga aktorët shumë të rëndësishëm. NATO duhet të rishpikë vetveten, SHBA po ashtu i ka bërë të qartë Evropës që norma për shpenzimet duhet të rritet. Vendet anëtare të NATO-s janë përballë këtyre sfidave, po ashtu me rëndësi brenda NATO-s është pesha që duhet të marrë Europa,” u shpreh ai.
Eksperti shtoi se NATO duhet të rishpikë vetveten për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, ndërsa SHBA-ja ka kërkuar nga vendet evropiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen. Sipas tij, Europa pritet të ketë një peshë më të madhe brenda Aleancës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se NATO synon të krijojë një fond solidariteti për vendet anëtare, i cili do të shërbejë si mekanizëm mbështetës për shtetet që përballen me vështirësi.
/abcnews.al/



