NASA: Akullnaja e Groenlandës po zgjerohet

schedule08:46 - 28 Mars, 2019

schedule 08:46 - 28 Mars, 2019

Sipas një studimi të ri të NASA-s, një akullnajë e madhe e Groenlandës me tkurrjen më të shpejtë në Tokë, po zgjerohet përsëri. Por ky jo domosdo është një lajm i mirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enoch sjellë hollësitë. Studimi i ri i NASA-s zbuloi se akullnaja Jakobchavn në Groenlandë jo vetëm nuk po shkrihet, por masa e saj është duke u zgjeruar.

“Mes viteve 2016 dhe 2017 nga dy misione të veçanta të NASA-s, ne mësuam se afër pjesës së përparme trashësia e akullnajës u rrit deri në 30 metra. Ndërsa mes viteve 2017 dhe 2018 trashësia e saj u rrit përsëri, këtë radhë me 30.5 metra”, thotë studiuesi i NASA-s, Ala Khazendar.

Është e habitshme sepse që nga viti 2012, akullnaja vazhdimisht po tkurrej me rreth 2.9 kilometra në vit për shkak të ndryshimeve klimatike. Por në dy vitet e fundit ajo ka filluar të zgjerohet me të njëjtin ritëm.

Cila është arsyeja? Shkencëtarët e NASA-s thonë se kjo është bërë e mundur nga një ftohje e përkohshme në Disko Bay, në bregun perëndimor të Groenlandës, ku akullnaja takon oqeanin. Këto ujëra më të ftohta po e bëjnë të mundur zgjerimin e akullnajës.

“Matjet që kemi bërë në fjordet e akullnajës kanë treguar se tkurrja e saj ka ndodhur kur uji i oqeanit që e ushqente atë ishte i ngrohtë, ndërsa kur trashësia e akullnajës filloi të rritej uji ishte më i ftohtë. Kjo nuk do të thotë se oqeanet nuk po ngrohen, por vetëm se transferimi i nxehtësisë nga oqeani në trupin e akullnajës është ndalur”, thotë Martin Siegert i Kolegjit Imperial të Londrës.

Shkencëtarët e përfshirë në studim theksojnë se kjo nuk do të thotë se klima nuk po ndryshon, pra ndryshimi i klimës po ndodh. Shtresa e akullit të Groenlandës në përgjithësi ende po shkrihet me ritme rekord.

Por studimi nxjerr se ujërat e oqeanit që thithin shumicën e nxehtësisë së tepërt të tokës, po luajnë një rol më të madh në shkrirjen e akullnajave sesa është menduar më parë.

“Në planin afatgjatë është një lajm i keq, sepse ky studim tregon se sa e ndjeshme është kjo akullnajë dhe ndoshta edhe të tjerat në Groenlandë, ndaj ndryshimit të temperaturës së ujit të oqeanit”, thotë Ala Khazendar i NASA-s.

Ndërkaq studimet tregojnë se temperaturat e oqeanit në përgjithësi kanë qenë në rritje të vazhdueshme që nga viti 1960./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!