Kryeministri Edi Rama u ndal të fliste për deklaratat e Presidentit Ilir Meta gjatë takimit elektoral në Tropojë. Kreu i qeverisë u shpreh se Meta i ka zënë vendin Nard Ndokës me fjalinë që shprehu gjatë një konference për mediat këtë të martë.
Sipas kryetarit të PD-së, Meta ka marrë përsipër të hedhë molotov institucionalë, dekretesh dhe fjalësh nga zyra ndaj parlamentit, gjykatave madje edhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Më mirë të merren me ne sesa të mos na kishin në hesap fare. Si për shembull imagjinoni të jesh Fatmir Mediu. E kuptoni të jesh Fatmir Mediu ça sikleti është se s’të llogarit njeri fare. Ti del flet dhe të gjithë thonë, akoma, ça bën ky. Nardi tani është një nivel më lart se vendin që kishte ia ka zënë Ilir Meta. Realisht sot Ilir Meta ia zuri vendin Nard Ndokës. Me fjalinë “shantazhin ndaj gjykatësve e pashë në fotografi”. Ku e more vesh i tha ai gazetari që u shantazhuan gjyqtarët. E pashë në fotografi tha. Nard Ndoka këtë nivel nuk e kishte kap.
Ilir Meta ka marrë përsipër pjesën e dhunës institucionale. Ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjeve, ka marrë përsipër t’i gjuajë me molotov fjalësh nga zyra parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës. Tha “unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë që të pyesim Amerikën. As zgjedhjet në Itali që të pyesim Italinë”. Domethënë sa të kem Lulin dhe Monikën nuk pyes për Italinë dhe Amerikën. Haxhi Qamili kur mori kot atëherë i çuan fjalë ata dhe i thanës “sikur po e tepro, kujdes se po preken interesat e Francës”. “Sa të kem Kavajën dhe Shijakun s’pyes as për Francë as për Angli unë”, tha. Ça t’i bësh. Është ky vend që e rrotullon dhe prapë e nxjerr ndonjë Haxhi Qamil. Tani nuk është një janë disa”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, opozita ka frikë nga hapja e negociatave me Bashkimin Europian.
“Ju i shihni që kanë një hall të madh, i shihni që bërtasin shumë se me thënë të drejtën kur bërtet Saliu edhe dëgjohet se bërtet shumë, por kur bërtet Luli vallaj është për t’i than ça të gjeti mos ke nevojë të shkosh… E vërteta është bërtasin nga frika. Kanë një frikë shumë të madhe dhe është reale kjo. Kanë një frikë të madhe se mos hapen negociatat me BE-në pasi me hapjen e negociatave fillon një kapitull i ri marrëdhëniesh me BE-në”, tha Rama./abcnews.al