Nano: Festa e 65 vjetorit të Bashkim Hoxhës tipike patriarkale

schedule20:42 - 5 Shkurt, 2019

schedule 20:42 - 5 Shkurt, 2019

65 vjetori i gazetarit Bashkim Hoxha ishte në fokus të monologut të sotëm të Mustafa Nanos në “Provokacija”, ku ra në sy pjesëmarrja e vëtëm 50-60 burrave dhe asnjë gruaje. Gazetari i emisionit e ka cilësuar këtë ngjarje tipike shqiptare dhe përfaqësuese e stilit patriarkal të shoqërisë sonë.

“Një festë si kjo është provë se ne si shoqëri jemi ende në shekujt e mesjetës, është një provë më spektakolare e patriarkalizmit sesa dhuna ndaj grave, apo sesa rekuperimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në zona të caktuara të territorit. Festa të tilla ta t’huajëzojnë këtë vend më shumë sesa dita e enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj, ju lutem, dhe këtë e bëj në emër të mijra shqiptarëve të tjerë, edhe nëse do të vijoni të festoni në këtë mënyrë, bëjeni, no problem, është puna juaj, por fotot e pamjet e festës mbajini për vete. Neve nuk na duhen. Askujt nuk i duhen. As grave tuaja nuk u duhen. Sidomos grave tuaja”– thekson Nano.

Monologu i plotë:

Para ca ditësh, nëpër portale u përcoll lajmi që Bashkim Hoxha, moderatori i njohur i programit të mëngjesit në televizionin Neës 24, festoi 65 vjetorin. Tani, një festë private është një festë private, dhe mirë do ishte që askush të mos fuste hundët në të. Por nga momenti që janë publikuar disa foto e ngjarja është trajtuar si lajm, ajo nuk është më një festë private. Pastaj, atje ku është i ftuar Presidenti e ish-presidenti i Republikës, e personazhe të tjera të jetës publike, nuk ka festë private.

Po çfarë ka në këtë mes për të komentuar? – mund të thuhet. Në fakt, ka një gjë për t’u komentuar. Në atë festë merrnin pjesë nja 50-60 vetë. Dhe e dini? Që të gjithë ishin burra, burra, burra, ja, siç e shihni në foto. Asnjë grua për be. Të jepet përshtypja se organizatorët kanë rënë dakord që edhe fotografët, kameramanët, kamerierët e banakierët të jenë burra, në mënyrë që të mos komprometohej integriteti gjinor i mjedisit. Rojet e trupit dhe shoferët dihet që burra janë. Të bëhet se fjala ka qenë jo për ndonjë datëlindje, por për ndonjë klub homofilik, ku kryhen rituale mistike, ndoshta të dhunshme.

Ky nuk është një aksident, të kuptohemi. Sikur të ishte një gjë aksidentale, as që do të merresha me të. Mirëpo nuk është kështu. Është e kundërta. Kjo ngjarje është tipike shqiptare. Është një ngjarje përfaqësuese e stilit patriarkal të shoqërisë sonë. Kudo të sheh syri grupe burrash që festojnë, ashtu si, by default, edhe grupe grash që bëjnë të njëjtën gjë. Kur sheh gratë që festojnë me njëra tjetrën datëlindje, apo 8 marsin, apo Shën Valentinin, mund të na shkojë mendja ta marrim këtë gjë si shenjë të fitores mbi patriarkalizmin. Sepse shohim gra që kanë dalë jashtë shtëpisë, në rrugë, nëpër restorante. Por nuk është hiç kështu. Ca gra që festojnë më vete, pa burrat, larg burrave, edhe pse janë në mjedis publik, nuk janë provë se gruaja ka fituar të drejta. Apo se ajo ka fituar terren mbi patriarkalizmin. Jo, gratë që bëhen bashkë në rrethana të tilla janë thjesht një mënyrë e shfaqjes së patriarkalizmit, në atë masë që janë kështu edhe burrat e mbledhur së bashku, më vete, ja, siç kanë bërë në këtë rastin e Bashkim Hoxhës, në të cilin të tërheq vëmendjen fakti që burrat nuk janë thjesht burra, burra dosido. Jo, jo, ata janë në një farë mënyre sundimtarët realë të Shqipërisë, sundimtarë në terma politikë (janë dy presidentë të pranishëm në atë festë), në terma kulturorë (Bashkimi vetë është një intelektual publik që shkruan libra, që vë në skenë drama), në terma ekonomikë (aty kishte shumë biznesmenë me nam të vendit).

Dua ta mbyll me fare pak fjalë: Bashkim, të kërkoj ndjesë që jam marrë me një ngjarje tënden private, por e shpjegova pak më sipër pse e bëra këtë gjë. Të uroj, me këtë rast, të jetosh edhe një qind vjet të tjera, dhe ky urim është i sinqertë, pse të mos ishte xhanëm, por duhet ta dish se, bashkë me ata që të kanë nderuar në atë festë, keni bërë diçka që nuk ndodh në asnjë cep të Europës së sotme. Një festë si kjo është provë se ne si shoqëri jemi ende në shekujt e mesjetës, është një provë më spektakolare e patriarkalizmit sesa dhuna ndaj grave, apo sesa rekuperimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit në zona të caktuara të territorit. Festa të tilla ta t’huajëzojnë këtë vend më shumë sesa dita e enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj, ju lutem, dhe këtë e bëj në emër të mijra shqiptarëve të tjerë, edhe nëse do të vijoni të festoni në këtë mënyrë, bëjeni, no problem, është puna juaj, por fotot e pamjet e festës mbajini për vete. Neve nuk na duhen. Askujt nuk i duhen. As grave tuaja nuk u duhen. Sidomos grave tuaja. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!