Nano: Edhe figura të historisë kanë qenë racist, nuk ka kuptim të rrëzosh monumentet e tyre

schedule22:16 - 12 Qershor, 2020

schedule 22:16 - 12 Qershor, 2020

Duke marrë shkas se nga vrasja e George Floyd në Minneapolis në SHBA, shpërthyen protestat anti rraciste në disa vende të botës, gazetari Mustafa Nano në Provokacija mendon se edhe figura të historisë dhe të së kaluarës kanë qenë raciste, mbështetës të skllavërisë, homofobë, mizogjinë, antisemitë, por që për këtë fakt nuk duhet fshirë historia.

Sipas Nanos ata janë pjesë e historisë e prandaj nuk ka kuptim të rrëzosh monumentet e tyre.

Monologu i plotë:

Pasi disa policë amerikanë vranë një njeri me ngjyrë, që quhej George Floyd, në Minneapolis, në SHBA ka shpërthyer një lëvizje e madhe që ka për slogan frazën e fundit që George Floyd tha para se të vdiste:

“I can’t breathe, po më merrni frymën”, e që synon çmontimin e mendësive raciste, e të dhunës brutale policore, të cilat, sipas tyre, nuk janë më të rastit, sporadike, por sistemike.

Është një lëvizje e bukur, e fisme, që duhet mbështetur. Por…..

Ka një “por” të rëndësishëm në këtë mes. Dhe ky “por” nuk ka të bëjë me turmat që janë parë të plaçkisin dyqane e të shkatërrojnë prona privat e publike.

Nuk ka të bëjë as me ato grupe protestuesish që po ushtrojnë apo frymëzojnë dhunë ndaj policisë (duket sikur jetojmë në një botë me kokëposhtë, por ja që kështu është, qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj policisë: jo ndaj policëve të korruptuar, por ndaj policisë në përgjithësi).

Jo, këto janë gjeste e akte që kryhen nga një pakicë njerëzish, të cilët është e lehtë të vihen lehtë nën kontroll.

“Por”-i ka të bëjë me një anë të errët të protestës. “Të errët”, sipas meje.

Një masë e madhe kanë vënë në bankën e akuzës policinë në përgjithësi.

Një masë e madhe protestuesish anarkistë po kërkojnë përveç të tjerash edhe shpërbërjen e policisë, me idenë se paratë që harxhohen për të mbajtur në këmbë policinë të përdoren për të varfrit, për minoritetet, për shëndetin, arsimin, etj.

Në këtë histori po ndodh edhe diçka tjetër. Po rrëzojnë përmendore që u kushtohen figurave të kohëve të shkuara që kanë qenë të përfshirë në tregti skllevërish, që kanë lënë pas bëma raciste e që kanë qenë simbole të periudhave kolonialiste.

Këtu është vendi për të bërë një diskutim. Së pari për kolonializmin. Kolonializmi nuk mund të likuidohet me një të rënë të lapsit. Ai është një monedhë me dy anë. Ka patur përmasën e vet shfrytëzuese e shtypëse, por në të njëjtën kohë ka emancipuar shoqëri të tëra të prapambetura, ka ngritur institucione.

Shikoni diferencën mes Hong-Kongut e Kinës.

Janë i njëjti popull, por Hong Kongu është më i familjarizuar me lirinë, me demokracinë, me lirinë e shtypit, me të drejtat e njeriut, me idenë që drejtuesit duhet të zgjidhen nga populli, etj. Ka qenë për më shumë se 100 vjet nën hyqmin e britanikëve, kolonialistëve britanikë.

Ose shikoni shqiptarët që ishin nën turkun, e kroatët, e sllovenët që ishin nën austro-hungarezët. Ose shikoni historinë e Shqipërisë. Italianët në njëzet vjet lanë më shumë gjurmë sesa turqit në 500 vjet. Madje, edhe francezët, sado qesharake që të duket, në dy vjet bënë më shumë se sa turqit në harkun e një kohe të madhe.

Së dyti, për tregtarët e skllevërve dhe për racistët e së shkuarës në përgjithësi. Është marrë vesh tanimë që skllavëria e racizmi kanë qenë turpe të historisë. Por gjërat duhet t’i kontekstualizojmë.

Nuk mund të gjykojmë epoka të tëra të historisë me metrin e të drejtave të njeriut, që është një shpikje e vonë, shumë e vonë. Sepse kështu, i bie që t’i vëmë kazmën gjithë historisë. I bie që ta kthejmë përmbys, e që të mos lëmë asgjë në këmbë.

I bie që ta ndalojmë studimin e Platonit e Aristotelit në shkolla sepse kanë qenë skllavistë e mizogjinë. I bie ta ndalojmë Danten, sepse ka folur keq për islamin, Muhametin, sepse ka qenë racist e homofobik.

I bie ta ndalojmë Shakespearin sepse ka qenë antisemit e racist e mizogjin. I bie t’u rrëzojmë përmendoret e t’i mbulojmë me turp në histori Washingtonin e Jeffersonin, sepse kanë qenë skllavistë.

Washingtoni kishte me dhjetëra skllevër që punonin për të. Jeffersoni kishte mbi 600 skllevër. I bie që të ndalojmë edhe fetë monoteiste, dhe Zotin e tyre që është mizogjin, homofobik, mbështetës i skllavërisë, madje edhe gjenocidist, etj, etj.

Si përfundim, unë e kuptoj, ky është një diskutim që nuk mund të bëhet kështu, me ngut, me një monolog në Provokacija. Ai do kohën e vet, do një analizë të shtruar, do një ballafaqim opinionesh.

Por me këtë monolog dua thjesht t’ju bëj ta rishqyrtoni pakëz këtë punë. Dua të them se historia është ajo që është, me dritë hijet e veta. Kështu janë edhe figurat e historisë. Janë me dritë hijet e tyre.

Nuk kanë qenë këto figura që kanë qenë raciste, mbështetës të skllavërisë, homofobë, mizogjinë, antisemitë. Kanë qenë kohët, në të cilët ata kanë jetuar. E prandaj, nuk ka kuptim të rrëzosh monumentet e tyre. Ata janë historia. /abcnews.al