Qytetarët shqiptarë po përballen me çmime rekord të karburanteve të cilat kanë arritur në afro 200 lekë për litër. Eksperti i Ekonomisë Selami Xhepa, në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, shprehet se kjo rritje do të reflektohet në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Xhepa theksoi se Shqipëria është vendi që ka nivelin më të lartë të çmimeve të karburanteve në rajon, dhe peshën kryesore për këto çmime sipas tij e ka kryesisht barra fiskale.
“Nga çmimi që po shkon në 200 lekë, 100 shkojnë në buxhetin e shtetit dhe 100 lekë në kompanitë prodhuese. Fenomeni i barrës fiskale që politikat tona aplikojnë në produktet e energjisë është e pazakontë krahasuar me vendet e tjera.”
Eksperti thotë se nëse politikat e qeverisë për barrën fiskale nuk ndryshojnë, duhet të përgatitemi që të jetojmë në një vend që ka norma të larta çmimesh në përgjithësi, jo vetëm të naftës.
Qeveria, sipas tij, ka mundësi të ndërhyjë dhe të lehtësojë barrën fiskale.
“Ka mundësi qeveria të ndërhyjë, është absurde të pretendosh që s’kemi mundësi të influencojmë, të hiqen disa taksa abuzive, gjoja mjedisore…Akciza, një taksë për të mbajtur nën kontroll eksternalitet negativet, ka një mori taksash që rrisin ndjeshëm barrën fiskale. Të paktën ta ulë barrën fiskale e ta bëjë të krahasueshme me vende të tjera.” /abcnews.al/