“Nadar” me 74 fotografi tek “Marubi” në Shkodër

schedule15:14 - 11 Tetor, 2018

schedule 15:14 - 11 Tetor, 2018

Ekspozimi i 74 fotografive të një koleksionisti francez, ishte një ngjarje e veçantë për muzeun “Marubi” në Shkodër. Përmes fotove u shfaqën personalitetet më të rëndësishme të artit, kulturës, politikës dhe ushtrisë së Parisit të shekujve 19 e 20.

74 fotografi nga 200 të koleksionit “Nadar” të galerisë “Je te poum” të Parisit u ekspozuan në Muzeun Kombëtar të Fotogragisë “Marubi” në Shkodër. Personalitetet më të rëndësishme të botës së artit, kulturës, politikës dhe ushtrisë së Parisit të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX u shfaqën për publikun në këtë ekspozitë. Për Luçjan Bedenin kjo ngjarje është më e rëndësishmja që nga koha kur u hap muzeu.

Luçjan Bedeni, drejtori i Muzeut Marubi: “Po bëjmë një ëndërr realitet, ato që po ekspozohen në Paris po i marrim dhe po i ekspozojmë këtu tek ne. Besoj se ky është niveli më i lartë i një ekspozite të tillë që ekspozojmë në Shqipëri në Shkodër, në vendin e fotografisë.”

E pranishme në këtë ekspozitë e cila titullohet “Mes rregullave dhe tekave” ishte edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës: “Unë besoj se kjo është një arritje 100% e kulturës për të cilën duhet të jemi shumë mirënjohës.”

Kuratori i ekspozitës, Michel Poivert, u shpreh se Nadar dhe Marubi janë pjesë e një rëndësie të veçantë.

Michel Poivert, kurator: “Është një ekspozitë estetike dhe historike. Në fakt është një ekspozitë me arkiva, të cilat do të donim ti tregonim dhe cilësinë e re arkivore.”

Ekspozita erdhi me mbështetje të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Francës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!