Gjatë konferencës së përbashkët me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, kryeministri Edi Rama ka falenderuar Turqinë për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë në momentet e vështira. Ndër të tjera, ai shprehu mirënjohjen për ndërtimin e 500 apartamenteve pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë.
“Sa herë që flitet për marrëdhënien me Turqinë, shqiptarët dhe Kosova nuk mund të harrojnë dot tre gjëra. E para, fal mbështetjes suaj, Kosova u njoh si republikë e pavarur pak minuta pas pavarësisë, e dyta ju ishit i pari që komunikuat me mua kur Shqipëria u godit nga tërmeti rënd dhe morët iniciativën e menjëhershëm për ndërtimin e 500 apartamenteve. E treta, ne shqiptarët u ndjemë si peshku pa ujë kur bota u godit nga Koronavirusi dhe nëse nuk do të ishte Turqia dhe ju personalisht, kushedi sa njerëz do të kishin humbur jetën.
Ka shumë për të thënë, por këto janë tre momentet mes jetës dhe vdekjes. Ju përmendët spitalin, po sot ai spital është një pikë referimi për të gjithë shqiptarët, ku bashkëpunojnë një staf në spital mes mjekësh dhe shqiptarësh dhe turqish. Aty ka nisur modeli i autonomisë spitalore, që është një tjetër reformë e sistemit tonë spitalor, që do e çoj vendin tonë në një tjetër pikë. Ne na vjen jashtëzakonisht mirë. Mezi presim të finalizohet dhe projekti që do të sjellë universitetin më të ri në Tiranë, që të aksesojmë një tjetër nivel arsimor”, u shpreh Rama./abcnews.al