“Na nderoi vendimi i VAR”, Lukaku: Tek Inter po përjetoj kulmin tim, duhet ta vrisnim ndeshjen

schedule23:35 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 23:35 - 1 Dhjetor, 2020

Interi mori një fitore shumë të rëndësishme me shifrat 2-3 në Gjermani ndaj Borussia Monchengladbach, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në fazën tjetër në Champions League. Lukaku ishte njeriu i ndeshjes për zikaltërit.

Sulmuesi foli për Sky Sport pas ndeshjes dhe e konsideroi si një fitore ku të gjithë luftuan, pavarësisht se ai shënoi dy gola.

“Siç thashë, unë jam një nga 25 lojtarët e Interit. Këtu ka lojtarë shumë më me përvojë se unë. Unë dua ta ndihmoj ekipin të fitojë, kjo është ajo që bëj në çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje, dua të ndihmoj Interin.

Jam shumë i lumtur që jam këtu me këta djem, kam pasur vitin më të mirë të karrierës time te Inter, kështu që falënderoj trajnerin, stafin e tij dhe shokët e mi të skuadrës.

Ne duhet ta kishim vrarë ndeshjen, ishim 3-1 dhe ishim me fat me VAR, që barazimi (shënoi Plea) nuk u lejua. Duke thënë këtë, nuk duhet të jemi negativë, pasi ka shumë lojtarë të rinj dhe jemi duke u përmirësuar.

Klithmat ndaj Barella? Isha pak i zemëruar sepse unë dhe Lautaro në atë moment ishim dy kundër dy. Mendoj se në 40 minutat e para sulmuam me të vërtetë mirë, kështu që ekzistojnë rreziqe që duhet të ndërmarrim, por ne po riskonim më shumë se ç’duhej”, u shpreh belgu. /abcnews.al