Shpëtimi i hebrenjve në Vlorë i dokumentuar në Muze, Rama: Nëse dorëzojmë miqtë, tradhtia më e lartë e shqiptarit

schedule18:49 - 17 Maj, 2022

schedule 18:49 - 17 Maj, 2022

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar pasditen e sotme projektin fitues për Muzeun Hebraik Shqiptar.

Projekti është fituar nga studio izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”. Muzeu do të hapet në Vlorë dhe do të tregojë të dokumentuar historinë e rrallë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve në vitet e errëta të Holokaustit. I pranishëm në takim ishte drejtori i Fondit Shqiptaro-Amerikan Michael Granoff dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Kryeministri Rama i rikujtoi edhe një herë Granoff “klubin e të korruptuarve.”

Rama: Është një diskutim i gjatë ky Michael, por siç e thashë sot është një ditë e lumtur për mua pas së fundmi  u bashkove me grupin e kriminelëve të korruptuar të këtij vendi. Këtu jemi së bashku të vjedhim edhe historinë hebreje. I jam mirënjohës atyre djemve që e dinë se kush janë kriminelët.

Kryeministri gjykon se ky muze është një nga gjërat më të munguara në të gjithë Shqipërinë. Ai shpreson që ky muze mos jetë i vetmi, pasi sipas tij lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi në një adresë.

Rama: Nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë, një muze i një historie të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve. Është historia e shpëtimit të herbrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma. Sot hedhim hapin e parë për krijimin e kësaj adrese. Një muze në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë pikërisht në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës. Uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi, sepse kjo histori është shumë e madhe për të pasur një muze. Lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi në një adresë për sa i përket historisë së kësaj lidhjeje.

Rama solli në vëmendje raportin që kanë shqiptarët me miqtë. Sipas tij, tradhtia më e lartë që mund të bëjë shqiptari në raport me ligjin e vet, është të dorëzojë mikun që ndodhet në shtëpinë e tij.

Rama: Nëse ne dorëzojmë ata që janë miq në shtëpinë tonë, tempujt tanë do ta humbasin përfundimisht shenjtërinë e tyre. Kjo është tradhtia më e lartë që mund të bëjë shqiptari në raport me ligjin e vet. Ne e dimë shumë mirë historinë e Kanunit dhe të raportit të shqiptarit me mikun. Historia e shpëtimit të hebrenjve nuk është e rëndësishme të përmblidhet në një muze, dy apo tre, unë them dhe më shumë duhen, por thjesht për të treguar ne se sa të jashtëzakonshëm kemi qenë në atë kohë, por për t’ju treguar fëmijëve tanë se sa e rëndësishme është kjo pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe sa e domosdoshme është që njerëzit dhe shoqëritë mos humbasin këtë sens humanizmi.

Rama u shpreh se është e rëndësishme që ky proces të çohet përpara. Rama shtoi se po përgatiten për të pasur një qendër te hebraizmit edhe në Tiranë. Sipas tij duhet të jetë një qendër ku të tregohet historia dhe të kultivohet miqësia e Shqipërisë me Izraelin./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!